( me rastin e hapjes së Edicionit të pestë të Manifestimit rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, në Grykën e Karadakut, pikërisht te Guri i Kufirit )
Sabit RRUSTEMI
E nisëm para pesë vitesh, te ky Gur i Kufirit, që dje përcaktonte vetëm kufirin midis dy fshatrave malore të Karadakut, Stançiqit e Bellanocit, kurse sot, përcakton ( nuk them, ndan) dy shtete që njihen mes vete dhe prej të tjerëve.
Ishte një ide, një dëshirë e qëllim i mirë, po që u bë dhe realitet yni, për ta nderuar Ditën e Lirisë dhe Ditën e Paqes për Kosovën, me prani poetësh e vargjesh, nga ky Trekëndësh kufitari Kosovë – Serbi – Maqedoni. Dhe, kur themi prani poetësh, mendojmë dhe në poetët serbë e maqedonë, të cilët janë të mirëpritur për t’ ju bashkuar këtyre takimeve dhe këtyre përkushtimeve.
Sepse ne poetët shqiptarë, qe pesë Edicione, prej kësaj zone të thellë të Grykës së Karadakut, përhapim mesazhe paqeje e afrie midis popujsh, me përkushtimin tonë të përhershëm për të gjithë ata e ato që sollën ditë më të mira për Kosovën e, edhe për Gjilanin, i cili nga 12 Qershori i vitit 1999 e këndej, jeton dhe feston i lirë Ditën e Çlirimit, njësoj siç e bën dhe Kumanova dhe siç do duhej ta bënte e të ndjehej dhe Presheva .
Ky Gur Kufiri sot ku jemi mbledhur, i vendosur këtu me një Marrëveshjen ndërqeveritare të dy shteteve të kësaj pjese të Ballkanit, që në vitin 2009, nuk është më pengesë për t’u takuar, njohur e thelluar miqësitë tona… por, pengesë jona është neglizhenca dhe zvarritja e të qeverive, si e asaj të Prishtinës dhe asaj të Shkupit që, për 6 vite nga ajo kohë e këndej, nuk mundësuan këtë një vendkalim të lirë për njerëzit, për mallërat por, edhe për vargjet tona, të cilat, duhet t’ ia falim eterit, ajrit të pastër të këtyre maleve për t’i bartur andej e këndej …
Të besojmë se më në fund Shkupi zyrtar nuk do bëhet më pengesë për lëvizjet dhe afritë midis dy popujve. E, edhe Prishtina të angazhohet … në mënyrë që largësitë prej dhjetëra e dhjetëra kilometrash të mbesin në sa më pak kilometra për ecejaket tona…
… meqë i ka hije dhe i bën nder këtij Manifestimi që të mbahet edhe në Vendlindjen e e Idriz Seferit por edhe në vendlindjen e Hamzë Bellanocit, dy luftëtarëve të shquar që mbrojtën trojet etnike dhe gjakuan një Shqipëri të tërë, e cila do zoti ( po edhe shqiptarët ) për t’u arritur përmes një Evrope të Bashkua. /2L ONLINE/