Agjencia për Informim dhe Privatësi është duke ndjekur me shumë vëmendje nivelin e respektimit të privatësisë së qytetarëve nga institucionet publike, me theks të veçantë nga institucionet shëndetësore, si kontrollues të të dhënave personale.
Në rrethanat e krijuara në vendin tonë nga përhapja e virusit COVID 19, është mëse e domosdoshme që të shkëmbehen informacione në mbështetje të përpjekjeve për të trajtuar këtë pandemi globale.
Megjithkëtë, ky shkëmbim duhet bërë në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me të dhëna të ndjeshme, publikimi pa kritere i të cilave mund të përbëjë ndërhyrje në privatësinë e individit.
Agjencia për Informim dhe Privatësi këshillon personelin mjekësor, i cili po bën punë vetëmohuese në parandalimin dhe trajtimin e të gjithë atyre që po kërkojnë ndihmë, që të ndajë të dhënat e pacientëve të dyshuar apo të prekur nga ky virus vetëm me profesionistët shëndetësorë, duke iu përmbajtur parimit të kufizimit të qasjes në këto të dhëna, për të mos i ndarë ato me palët e treta pa pëlqim paraprak të subjektit të të dhënave.
Njëkohësisht, Agjencia kërkon nga mediumet e shkruara, audiovizive, ato të platformave online, si dhe nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, që në përmbushje të misionit të tyre të informimit të plotë e të drejtë të publikut, të jenë të kujdesshëm në respektimin e dinjitetit njerëzor dhe jetës private të qytetarëve.
Në funksion të gjendjes së krijuar dhe masave të marra për parandalimin e saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi inkurajon qytetarët që, në rast se kanë ankesa si për qasje në dokumente publike, ashtu edhe për mbrojtjen e të dhënave personale, t’i paraqesin ato vetëm përmes postës elektronike në adresën: [email protected] dhe/ose [email protected]