/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Archis Inventions Prishtina si pjesë e projektit të Institutit për Zhvillim të Habitatit “Co-Plan” me seli në Tiranë, dhe Institutit për Zhvillim Urban Ndërkombëtar ‘I2UD’ me seli në SHBA, kanë organizuar sot punëtorinë me temën “si të përmirësojmë komunikimin, pjesëmarrjen dhe transparencën nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informimit dhe komunikimit”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga shoqëria civile e nga organizatat rinore.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka falënderuar partnerët për ndihmesën në këtë punëtori me qëllim përmirësimit të transparencës, llogaridhënies dhe të komunikimit të përbashkët.
“Ju lus që të bashkëpunoni dhe të punoni edhe në grupe punuese sepse koordinimi i të gjitha aktiviteteve që çojnë drejt një përmirësimi të transparencës, llogaridhënies dhe të komunikimit të përbashkët, është diçka që ne kemi investuar që nga paslufta e deri këtu. Në Gjilan është një hap i domosdoshëm që duhet ta ndërmarrim, ta vendosim edhe këtë kulturë të punës e cila na e mundëson më shpejt dhe më drejt t’i kryejmë obligimet tona dhe në të njejtën kohë garanton llogaridhënie dhe transparencë. I falënderoj partnerët që për bashkëpunimin dhe vlerësimin e drejtë, i cili është në interes të Komunës sonë”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, Sandra Kdolsky, specialiste e zhvillimit social nga Banka Botërore, ka thënë se qëllimi i Programit të Partneritetit Urban II, është që të krijojmë qytete më të jetueshme dhe të qëndrueshme në Europën Juglindore, të cilat ofrojnë cilësi më të larta të jetesës për qytetarët.
Në këtë punëtori është prezantuar edhe një raport i gjetjeve për Komunën e Gjilanit nga ana e Mrinë Godanca dhe Florina Jerliu nga Archis Inventions Prishtina, ku ndër të tjera u theksua se Gjilani në nivel vendi, por edhe në rajon, prin për nga aplikimi i teknologjisë së informimit dhe komunikimit.
“Dua të konfirmoj se Gjilani në nivel vendi, por edhe sa i përket një pjese të Shqipërisë dhe Maqedonisë prin për nga aplikimi i teknologjisë së informimit dhe komunikimit. Është e pabesueshme se sa shumë informata mund të gjeni në faqen e Komunës së Gjilanit në Facebook. Por natyrisht, ajo që do të donin qytetarët është që t’i marrin më të gatshme dhe më të strukturuara”, ka thënë përfaqësuesja e AIP, Florina Jerliu.
Ky program është financuar nga Instituti i Bankës Botërore me seli në Vjenë. /2L ONLINE/