/2L ONLINE/ – Komiteti për Shërbime Publike (KSHP) i ka dhënë mbështetje kërkesës së shoqatës “Handios” në Gjilan, për largimin e barrierave nga rrugët dhe trotuaret e qytetit, si nevojë e domosdoshme për të lehtësuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar.
Isa Agushi, kryesues i Komitetit për Shërbime Publike, ka thënë se kërkesa e shoqatës “Handikos” është edhe e arsyeshme, edhe e ligjshme. “Të gjitha barrierat duhet të largohen ga rrugët dhe trotuaret, në mënyrë që kjo kategori e njerëzve që përdorë karroca, të ketë mundësi të lëviz lirshëm”, ka thënë Agushi, duke shtuar se shqetësimi i tyre është real.
Largimi i barrierave lehtëson lëvizjen jo vetëm për anëtarët e shoqatës “Handikos”, por edhe për nënat me fëmijë të vegjël, të cilat përdorin karroca si dhe për pleq, ka thënë Agushi.
Komiteti i ka dhënë përkrahje të plotë kësaj kërkese dhe i ka rekomanduar Drejtorisë së Shërbimeve Publike që të ndërmarrë masat e duhura për zgjidhjen e këtij problemi, të cilën e kanë adresuar personat me aftësi të kufizuar, përmes shoqatës ‘Handikos”.
Ilir Tahiri (PDK) ka thënë se krijimi i kushteve për lëvizjen e kësaj kategorie të njerëzve, nuk është çështje humanizmi, por është obligim ligjor.
Ramadan Ajvazi (LDK), tha se disa pengesa janë eliminuar më herët dhe u shpreh optimist se drejtoria përkatëse, pas këtij rekomandimi, do të reagojë për t`i zgjidhur edhe problemet tjera.
Burhan Selmani (PDK) ka sugjeruar që drejtoria të bashkëpunojë me shoqatën “Handikos”, për t`i identifikuar më mirë pikat ku ata kanë nevojë për eliminimin e barrierave në rrugë dhe trotuare.
Kërkesës së “Handikosit” i kanë dhënë përkrahje edhe Mizafere Ismajli (LDK), Krenare Latifi (VV), Hamid Azemi (AAK). /2L ONLINE/