Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka marrë me shqetësim njoftimin e drejtorit të mediumit “Plus Televizion”, Fatos Hetemi, për kërcënimet që janë bërë në drejtim të gazetarit Irfan Maliqi.
Gazetari Maliqi siç është bërë e ditur për AGK-në ka shkruar dy tekste, njëri për kthimin e grave nga vatrat e luftës në Siri dhe tjetri për fenomenin e vjedhjeve që ka ndodhur kohëve të fundit në Viti.
Për të dyja këto shkrime ai është kanosur përmes dy mesazheve në rrjetin social Facebook.
Derisa për rastin e parë dihet kërcënuesi, identiteti i të cilit tashmë është i njohur dhe për Policinë e Kosovës, në rastin e dytë kërcënimi është bërë nga një profil i rremë. Ndërsa është bërë e ditur nga drejtori i televizionit “Plus Televizion”, Fatos Hetemi se policia pas lajmërimit të këtyre dy kërcënimeve ka nisur hetimet.
AGK fton organet e drejtësisë që të krijojnë një ambient sa më të sigurt për gazetarët, duke vënë para përgjegjësisë çdo kënd që synon të pengojë raportimin mbi të vërteten dhe çdo fenomen që ndodh në shoqërinë tonë.
AGK u bënë thirrje të gjithë punonjësve medial të mos heshtin dhe të raportojnë për çdo kërcënim apo pengesë që iu bëhet gjatë kryerjes së punës së tyre.
Përndryshe,Policia e Kosovës, kishte bërë me dije sot se “ankuesi shqiptar, shtetas i Kosovës, gazetar në ,,Plus Televizion’’ në Viti, raporton në Stacionin e Policisë së Kosovës në Viti, se para disa ditësh në profilin e Facebook-ut të mediumit ,,Plus Televizionit’’ kanë pranuar mesazhe kërcënuese nga dy persona me adresa të ndryshme të profilit. Dyshohet se mesazhet kërcënuese vijnë pasi që Televizioni ,,Plus” kishte publikuar dy lajme në portalin e këtij mediumi. Rasti procedohet në njësitin e hetimeve”.