Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka marrë lajmin se kryeredaktori i gazetës “Bota Sot”, Idriz Morina, dhe gazetari i kësaj të përditshmeje, Nehat Shaqiri, janë kërcënuar me jetë. AGK ka kuptuar se një person i njohur për Asociacionin ka kërcënuar sistematikisht kolegët e gazetës, fillimisht përmes telefonit dhe pastaj verbalisht, ku ka kërkuar që t`i qëroj hesapet fizikisht.
AGK e dënon ashpër çdo përpjekje të kujtdo që me konfrontim fizik, shantazh apo kërcënim, mendon se mund ta ndal raportimin profesional të gazetarëve. AGK i bën thirrje Policisë së Kosovës që ta hetojë sa më shpejt këtë rast, me të cilin përveç pengimit të punës së gazetarit, fyhet dhe poshtërohet liria e shprehjes në vend, duke e rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vetë jetën e gazetarëve.
AGK i bënë thirrje të gjitha palëve që t`i përmbahen normave ligjore për zgjidhje të kontesteve, të çfarëdo natyre qofshin ato. Njëherësh AGK, fton kolegët gazetarë të mos ndikohen nga raste të tilla në punën e tyre dhe shpreh shqetësimin për rritjen e rasteve të raportimit për kërcënime, shantazhe dhe forma tjera të keqtrajtimit të gazetarëve muajve të fundit.