Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës dhe komuniteti i fshatit Zhegër, sot në nderim të rënies së heroit të madh, të veprës dhe kryengritjes së madhe shqiptare të luftës së fundit në Kosovë, kanë kujtuar kontributin e madh të dhënë nga heroi i shqiptarëve, Agim Ramadani.
Pas homazheve pran lapidarit, kryetari Haziri, ka thënë se gjithçka po bëhet në kuadër të aktiviteteve, për shënimin e luftës së lavdishme që bëri Agimi dhe ushtarët e lirisë së Kosovës.
“Qendra e aktiviteteve më të mëdha që bëhen këtyre ditëve normalisht është Zhegra, vendlindja e Agimit, është shkolla që mban emrin e tij dhe është vendi ku ai ka ra, për të mos vdekur kurrë. Agimi është emër i madh në kombin shqiptarë në përgjithësi, është identifikues simbolik i bashkimit të shqiptarëve, meqë guri i ngulur në atë kufi ku ndaheshin shqiptarët, është në Gjilan, pranë lapidarit të tij dhe ky guri i shkulur, është sinonim i bashkimit të shqiptarëve dhe tregues që nuk mund të ndahen nga askush”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tij Shemsedin Elezi, kryetar i Këshillit të Fshatit Zhegër, ka thënë se si banorë të kësaj ane të Karadakut ndjehen jashtëzakonisht mirë që i takojnë vendlindjes së heroit të kombit, i cili e fshiu gurin ndarës të shqiptarëve.