Presidenti Agim Ademi është rizgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat të ri katërvjeçar, me 42 vota për dhe një abstenim, njofton FFK.
Në punimet e Kuvendit, që u zhvillua sot në selinë e FFK-së, morën pjesë 43 delegatë, derisa me prezencën e tyre këtë aktivitet e nderuan anëtari i KE të UEFA-s dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesit e FIFA-s, Alessandro Gramaglia e Sofia Malizia, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Sportit.
Nga një fjalë rasti para delegatëve e kanë mbajtur anëtari i KE të UEFA-s dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesi i FIFA-s, Alessandro Gramaglia dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Ata përgëzuan punën e bërë nga FFK në katër vitet e kaluara dhe uruan që progresi i futbollit kosovar të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Pasi mori besimin e delegatëve të Kuvendit të FFK-së, presidenti Agim Ademi theksoi se ai dhe KE i FFK-së do të punojnë bashkërisht me të gjithë për ta çuar përpara futbollin e Kosovës.
“Faleminderit për besimin e dhënë. Këtë mandat të ri nuk e marrë si privilegj, por si obligim të madh. E këtë obligim nuk mund ta kryej pa ju, prandaj ju dua afër vetes. Këtë përgjegjësi dhe ndihmën që ma jepni, unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendime ndryshe. Besimin do t’ua kthejë të gjithëve me punën time, pasi jam njeri i futbollit dhe jam i lumtur që jam në familjen time apo mos të them në zanatin tim. Kur them në zanatin tim, them pasi jam një jetë në futboll si futbollist, kryetar klubi dhe prijës i federatës. I di hallet e futbollistit, klubit dhe punët e federatës. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat. Unë jam vullnetar në futboll dhe do të vazhdoj të jem i tillë”, ka theksuar presidenti Ademi, i cili njëherësh falënderoi UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet për raportet e shkëlqyeshme dhe përkrahje në mandatin e tij të parë.
Presidenti Ademi paraprakisht para delegatëve i ka shpalosur të arriturat dhe projektet e të ardhmes, të cilat synon t’i përmbushë gjatë mandatit të ri katërvjeçar.
Krahas zgjedhjes së presidentit, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi raportin financiar dhe të auditimit për vitin 2021 dhe planin financiar për vitin 2022, si dhe autorizoi Zyrën Ligjore të FFK-së për fillimin e ndryshimit të Statutit të FFK-së konform kërkesave të UEFA-së e FIFA-së, njofton FFK. /2LONLINE/