/2L ONLINE/ – Në Topanicë të komunës së Dardanës (Kamenicës) në lokalitetin me emërtimin Popovca gjendet kalaja e Topanicës, të cilës tani mund t’i vërehen vetëm shumë pak vendi ku kanë qenë muret. Në afërsi të kësaj kalaje gjendet vendi arkeologjik, i quajtur, Gradeci. “Sipas të dhënave më të hershme, gjatë punimit të tokës, gjithnjë kanë dalë gjurmë të eshtrave, fragmente tullash e tjegullash etj.”(Databaza Publike e MKRS-së-http://dtk.rks-gov.net).
Edhe agërshaku është gjetur në këtë vend, përkatësisht në Gradec, në arën e Hjaredin Latif Rashitit nga Topanica. Këtë agërshak e kishte ruajtur Sali Shala, i cili me rastin e vizitës së fshatit Topanicë nga ana e ekipit të QRTK-së, na e dhuroi për muze. Siç e pamë e siç shihet nga fotoja, agërshaku ka formën e rrumbullakët dhe një vrimë në mes. Është i punuar nga dheu.
Siç na njoftojnë Hajredin Rashiti e Sali Shala çdo herë kur lëvrohet kjo arë dalin në sipërfaqe fragmente qeramike e tjegulla. Dhe këtë agërshak rastësisht e kam gjetur dhe ia kam dhënë Salihut që ta ruaj.
Në këtë vend, shpjegon Hajredini, ka pasur edhe themele të një faltore të vjetër, përkatësisht, të një manastiri iliro-dardanë. Gjithashtu, gjatë punimit të tokës disa herë kanë dal në sipërfaqe edhe eshtra e kafka të njerëzve, por që nuk iu kanë dhënë rëndësi askush, dhe tani më nuk kemi hasur diçka të tillë. Gjetja e eshtrave e përforcon edhe më shumë bindjen se këtu, vërtetë ka ekzistuar një manastir, pasi siç dihet, pranë manastireve e kishave kanë qenë edhe varrezat e atij vendbanimi. Edhe ky agërshak është gjetur në këtë vend dhe sigurisht i takon periudhës kur është ndërtuar faltorja, ngase aty është zhvilluar jeta.
Siç dihet këtu në Topanicë është gjetur edhe një gotë vere e shek. II para erës sonë dhe tani është në posedim të QRTK-së në Gjilan.
Sidoqoftë, për vjetërinë e këtij agërshaku, mendimin duhet ta japin ekspertët, sikurse që duhet të hulumtohet ky vend arkeologjik në Topanicë, sepse mund të dalin në sipërfaqe dëshmi të zhvillimit të jetës së hershme. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/