Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar memorandum për financimin e disa projekteve infrastrukturore në Komunën e Vitisë, me kryetarin e kësaj komune, Sokol Haliti.
Abrashi tha se janë dy projekte që do të realizohen në Komunën e Vitisë e që e kalojnë vlerën e 1 milion eurove.
“Projekti i parë është ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës, prej Anton Qeta deri te rruga Sejdiu, fshati Stubëll e Epërme, Viti, faza 2, prej 550 euro. Ndërsa projekti i dytë është asfaltimi i rrugës Mjak – Doboldeh, në vlerë prej 535 mijë euro. Të dy këto projekte do të kenë ndikimin në përmirësimin e infrastrukturës së Komunës së Vitisë, por do të shërbejnë edhe në lidhjen më të mirë në mes të fshatrave”, tha Abrashi.
Ndërsa, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, tha se me këto projekte kompletohet edhe një pjesë e infrastrukturës së kësaj komune.
“Ky memorandum është lajm i mirë për qytetarët e Vitisë, sepse do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e banorëve, duke ua mundësuar lidhjen më të mirë edhe me qytetin por edhe me vendet për rreth”, tha Haliti.
Ministria e Infrastrukturës për vitin 2021 ka parapa projekte të reja pothuajse në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, me qëllim të përmirësimin dhe kompletimit të infrastrukturës. /2LONLINE.com/