Degradimi i ambientit, me deponi të egra në plotë vende, është vetëm njëri nga treguesit e mirëfilltë se shuarja e një drejtorie, katër vite më parë, siç ishte ajo e Inspekcionit, ishte veprim i gabueshëm i qeverisjes së LDK-së. Andaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në seancën e fundit mbështeti ndryshimet statutare ku parashihej, ndër tjerash, edhe kthimi i kësaj drejtorie.
Kështu është shprehur për 2LONLINE, Riza Abdyli, shef i Grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së, por, sipas të cilit, nuk mjafton vetëm me këtë korrigjim të gabimit dhe kërkim falje, por dikush duhet dhënë llogari për këtë.
Abdyli ka sqaruar se që nga fillimi, pra që nga viti 2014 kur janë bërë ndryshimet statutare, ku edhe ishte shua kjo drejtori, PDK-ja ishte kundër dhe se deri më sot, kishin kërkuar kthimin e saj, gjë që më në fund edhe u bë, mirëpo dikush duhet të jap llogari, për gjendjen e kaosit në fushën që ka mbuluar kjo drejtori, pasi nuk mjafton me një kërkim falje ose të thuhet vetëm se: “e kemi vërejtur ose ka qenë një gabim që është shuar kjo drejtori”.
Abdyli tha se këtu duhet llogaritur dëmet dhe si shembull mori degradimet e ambientit, pasi përgjatë kësaj kohe, janë krijuar shumë deponi të egra dhe se për këtë tha se ka folur edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, bile ka prezantuar para asamblistëve edhe fotografi që e dëshmonin këtë.
Ai tha e më nuk dihet saktë sa deponi ka, po janë shumë dhe se deponi të egra ka në çdo pjesë të qytetit, e edhe lumenjtë janë të degraduar.
Abdyli tha se para kuvendarëve kishte treguar disa fotografi të gjendjes së keqe ambientale, bërë nga vet ai, në afërsi të deponisë së Velekincës, si dëshmi se sa ka qenë e dukshme mungesa e inspektorëve dhe Drejtorisë së Inspeksionit
Ai shprehu edhe një tjetër brengën sa i përket këtyre deponive, pasi tha se aty sheh familje, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë, që në ato mbeturina, mundohen të nxjerrin fitime për mbijetesë , duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e tyre.
Abdyli i PDK-së tha se ka kërkuar nga kryesuesja e Kuvendit që ta vizitojë këtë vend që ta sheh edhe vet dhe nga afër gjendjen katastrofale nga këto deponi të egra, që janë jashtë deponisë së ligjshme.
Abdyli tha se këto deponi të egra janë krijuar nga njerëz të pandërgjegjshëm mirëpo përgjegjësit në komunë duhet të merren me këta njerëz dhe ata të ndëshkohen, ndërkohë që të merren masa për eliminimin e këtyre deponive dhe më pas, sidomos tani me kthimin e Drejtorisë së Inspekciont, të shtohet kujdesi, qoftë edhe 24–orësh, për të mos lejuar krijimin e tyre.
Kjo është vetëm njëra prej arsyeve pse PDK, ishte për kthimi ne Drejtorisë së Inspekcionit, pa shutar edhe dëmet tjera që janë bërë për Komunën dhe qytetari ne saj, nga ndërtimet pa leje, që kanë degraduar çdo plan, thotë ai.
Andaj, ai shton se PDK-ja jo vetëm që mbështeti kthimin e drejtorisë në fjalë por kërkon të kthehet fuqishëm, me kompetenca të plota ose edhe shtesë, me numër në rritje të punëtorëve, me patrullime edhe natën nga inspektorët e Komunës së Gjilanit, krejt kjo për të përmirësuar gjendjen, por edhe për të mos lejuar degradime të mëtutjeshme të komunës.