(2L ONLINE) – Duke folur për gjashtëmujorin e parë të qeverisjes me Gjilanin, nga pushteti i tanishëm i LDK-së me partnerë të saj, përfaqësues të PDK-së, thanë se jo që duan vetëm të kritikojnë, por se përgjatë kësaj periudhe ky pushtet në krye me kryetarin e komunës Lutfi Hazirin, nuk po bënë asgjë të hairit, ndërsa po mbijeton me realizimin e disa projekteve që në fakt janë të lëna gati nga qeverisja e kaluar.
Sahit Abazi, shefi Grupimit të Këshilltarëve të PDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit e ka quajtur anemike qeverisjen e tanishme lokale në Gjilan duke thënë se nga qeverisja e saj e deritanishme nuk mund të shihen kurrfarë rezultati.
“Fotografimet që po i bënë asfaltit e vetes kryetari i komunës në disa projekte si në shtrime asfalti, në mbledhjen e pak luleve e gjetiu janë në fakt projekte të trashëguara nga qeverisja e kaluar e PDK-së, sepse kjo qeverisje e tanishme nuk ka projekte të saja, nuk po di dhe nuk po mundet andaj edhe nuk po shihet se po ndodh diçka pozitive, diçka që mund të jenë rezultate të prekshme për qytetarët”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, kryetari Haziri po përpiqet t’i përvetësojë projektet e qeverisjes së kaluar të PDK-së dhe se sektorët po i dështojnë një nga një. Abazi tha se Drejtoria e Bujqësisë deri diku po mundohet ta mbajë ritmin e qeverisjes së kaluar, po ashtu në drejtorinë e Administratës ka lëvizje, por se do të bëhet vlerësimi shpejtë, për të parë në të vërtetë se çfarë po bëhet aty, dhe deri në shtator do të ketë vlerësim edhe për Drejtorinë e Arsimit, përndryshe në të gjitha drejtoritë tjera ka rënie drastike të ritmit të punës e ku puna e mirë e qeverisjes së kaluar po prishet keq nga këta pushtetarë të sotëm.
Abazi tha se PDK po vazhdon të jetë konstruktive edhe në Kuvendin Komunal si parti opozitare, por ka akuzuar këshilltarët e pozitës që janë të përgjumur sepse të tillë po i le kryetari i komunës duke ua marr kompetencat andaj edhe nëse kemi një Kuvend Komunal të dobët është për faj të tyre dhe të udhëheqjes komunale, përkatësisht të kryetarit të komunës me një grup të vogël përreth tij.
“Kjo qeveri e keqe në nivelin lokal nuk është duke i përmbushur as premtimet e saj dhe me këtë po i mashtron qytetarët, por të cilët, do t’ia japin përgjigjen e merituar shumë shpejtë”, ka thënë Abazi i PDK-së. /2L ONLINE/