(2L ONLINE) – Avdyl Aliu, shefi Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit ka shpalosur iniciativën për të shpallë qytetar nderi futbollistin Xherdan Shaqiri. Me këtë rast ai ka thënë se këtë ia kishte shpalosur edhe kolegëve këshilltarë nga të cilët kishte kërkuar ta nënshkruajnë këtë iniciativë, por se siç ka thënë ai, këtë nuk e kanë bërë këshilltarët e PDK-së, sipas tij, me arsyetimin se u duhet qëndrim partiak për këtë çështje.
Nga ana tjetër, Sahit Abazi shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së ka thënë për 2L ONLINE, se Xherdan Shaqiri është ambasadori ynë më i mirë në botë dhe nuk është mirë të politizohet emri i tij, e sidomos nuk është mire edhe të lokalizohet skajshëm emri i tij. Sipas Abazit, ylli i futbollit Xherdani Shaqiri vetëm prejardhjen e ka nga Gjilani, përndryshe ai tani është i të gjithë shqiptarëve.
“Me respektimin e vlerës se Xherdanit duhet të merret Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti e jo ne lokalet, sepse si bëjmë ku ta di çfarë nderi vetes tonë dhe atij nëse e lokalizojmë vetëm si tonin”, ka thënë Abazi.
Por, sipas tij, si do që të jetë, nëse e vlerësojnë edhe seriozitetin e kërkesës mund edhe ta nënshkruajnë atë nisme.
“Por, ne gjilanasit duhet ta ndërrojmë logjikën lokaliste, kur kemi vlera si kjo e Xherdanit, duhet ta lartësojmë në nivel kombëtarë. E kur behet fjalë për veprime në favor tonin, duhet të bëhemi bashkë që favoret të vijnë edhe kah ne proporcionalisht”, ka thënë Abazi i PDK-së.
Në fakt, Abazi mendon se më serioze do të ishte ideja që njëri nga stadiumet në Gjilan të bart emrin e Xherdan Shaqirit. Është fjala për stadiumin aktual që ka qyteti i Gjilanit ose këtë të riun që ka filluar të ndërtohet në rrugën e Ferizajt. /2L ONLINE/
shih edhe shkrimin:
Shpaloset iniciativa për të shpall Shaqirin qytetar nderi i Gjilanit