(2L ONLINE) – Sahit Abazi, shef i Grupimit të Këshilltarëve të PDK-së në Asamblenë e Gjilanit beson se Qeveria e Kosovës do të formohet nga PDK-ja dhe në këtë drejtim do të donte LDK-në për partnerë në bashkëqeverisje , siç thotë ai, për hir të proceseve në të cilat do të kalojë Kosova, siç janë përmbyllja e negociatave me Serbinë, me arritjen e traktatit të paqes dhe të rrugëtimit dhe hyrjes së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Por, kjo, sipas Abazit, nuk do të duhej të ketë asnjë ndikim në nivel lokal, në Komunën e Gjilanit, ku qeveris LDK-ja, e ku PDK-ja është në opozitë, pasi assesi PDK nuk do të duhej të lejojë të jetë në një tabor me një qeveri lokale e dëshmuar për hajni dhe mashtrime të qytetarëve. Ai thotë se LDK, me partnerë të saj, nuk po qeverisë për qytetarin por për vetveten e saj.
“Kur jemi te niveli qendror vlerësoj se për hir të proceseve në të cilat duhet të kalojë Kosova, PDK duhet ti ofertojë LDK-së për të bërë bashkë qeverinë sepse të tjerët as nuk kanë kapacitete qeverisës”, ka thënë Abazi, për Portalin 2L ONLINE, duke shpërfaqë kështu qëndrimin e tij personal.
Ai thotë tutje se kemi para vetes përmbylljen e bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e traktatit të paqes si dhe rrugëtimin dhe hyrjen në BE, dhe se, jo pse PDK nuk ka kapacitete për t’u bërë këto, por se duhet një ecje e përbashkët drejt arritjes së këtyre qëllimeve andaj preferon një qeveri të përbashkët PDK-LDK.
“Mendoj se duhet me iu bë ofertë LDK-së për me krijua Qeverinë, sepse subjektet tjera, si Aleanca apo NISMA, as që kanë kapacitete qeverisëse, intelektuale e profesionale, e Vetëvendosje është krejt diçka tjetër”, ka thënë Abazi.
Përndryshe, krijimi i një qeverie qendrore PDK-LDK, nuk do të kishte kurrfarë impakti në nivelin lokal në Gjilan, për një përafrim të mundshëm, pasi Abazi thotë se PDK kurrsesi nuk do të duhet të lejojë një gjë të tillë për tu bërë bashkë me mashtrues me ata që qeverisin keq me Gjilanin. Por se, PDK do të duhej të vazhdojë me zërin e saj opozitar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të mashtruar për ditë e më shumë, nga ky pushtet i LDK-së e i partnerëve të saj.
“Kurrsesi nuk duhet të ketë përafrim të PDK me LDK-në, në nivel lokal sepse kjo qeverisje e LDK-së, në krye me Lutfi Hazirin po i mashtron qytetarët, nuk po i mbanë premtimet dhe nuk është një qeverisje serioze fare, gjë që u pa në këto gjashtë muajt e parë”, ka thënë Abazi i PDK-së.
Ai thotë se LDK në Gjilan po qeverisë me anemi të thellë , nuk po duket se ka gjë prej saj dhe më e keqja, sipas Abazit, është fakti se derisa qytetarët janë të pakënaqur totalisht, ky pushtet në Gjilan është i vetëkënaqur, çfarë është për çdo kritikë, por se shumë shpejtë do ta merr përgjigjen e merituar nga vet qytetarët, kjo qeverisje mashtruese e Gjilanit, thotë ai. /2L ONLINE/