Opozita është shprehur e gatshme për ta kundërshtuar demarkacionin brenda dhe jashtë Kuvendit, duke besuar se Qeveria nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvend.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje!, të AAK-së dhe të Nismës, janë shprehur të bindur se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi do të bjerë së bashku me Qeverinë, shkruan “Epoka e re”.
Përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës kanë treguar se kanë hequr dorë nga përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend.
Deputeti i AAK-së, Ali Berisha, kat hënë për “Epokën e re” se demarkacioni do të kundërshtohet brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Ne mendojmë se versioni aktual i demarkacionit është i papranueshëm dhe kurdo që kjo çështje vjen në Kuvend, ne në çfarëdo forme do ta kundërshtojmë. Këtë version do ta kundërshtojmë edhe në Kuvend, edhe jashtë tij.
Kudo që ka anëtarë të AAK-së do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje”, ka thënë ai, duke treguar nga çfarë kanë hequr dorë.
“Ne vetëm një formë të kundërshtimit të përdorur me parë, e që është gazi lotsjellës, nuk do ta përdorim, sepse kështu kanë vendosur strukturat e AAK-së. Të gjitha metodat e tjera të pranueshme dhe demokratike do t’i përdorim për ta kundërshtuar këtë marrëveshje”, është shprehur ai.
Sipas Berishës, demarkacionin do ta rrëzojnë së bashku me deputetët e pozitës.
Edhe Nisma për Kosovën beson se marrëveshja për demarkacionin nuk mund të kalojë në Kuvend.
Shefja e grupit parlamentar e Nismës, Valdete Bajrami, ka thënë për “Epokën e re” se kjo Qeveri tashmë ka rënë dhe nuk mund të kalojë asnjë projekt i saj në Kuvend.
Edhe Bajrami ka treguar se Nisma nuk do të përdorë më gaz lotsjellës në Kuvend. Sipas saj, këto veprime tashmë i takojnë së kaluarës. Ajo beson se me ndihmën e deputetëve të koalicionit qeverisës do të rrëzohet kjo marrëveshje.
BURIMI: Epoka e Re