Partneritetit publiko -privat në mes të Komunës së Gjilanit dhe Kompanisë për Grumbullimin e mbeturinave, Ecohigjiena, si duket po i vije fundi. Komuna e Gjilanit ka bërë me dije se ka njoftuar drejtuesit e kësaj kompanie për shkëputje të kontratës.
Valbona Tahiri, drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit ka bërë me dije se të enjten i kanë dërguar një njoftim partnerit privat, Ecohigjienës, përkatësisht zotit Moser, njoftim për ndërprerje të kontratës të partneritetit publiko-privat me këtë kompani.
“Tani presim që, nëse ka nevojë të kemi edhe ndonjë takim, mirëpo kjo është një informatë, një vendim që është dashtë me u marr, pas një kohë të gjatë të negociatave të pasuksesshme. Më vije keq që ka ardhur deri te kjo pikë, megjithatë në qoftë se dështoi partneri privat nuk do të thotë se duhet të dështojë edhe partneri publik. Ne jemi të hapur për ta përmbyllur këtë proces. Njoftimi është dërguar dje dhe sipas ligjit janë gjashtë muaj kohë deri te shkëputja e kontratës”, ka thënë Tahiri, për të shtuar se janë të hapur për të bashkëpunuar me ta, të negociojnë, të bisedojnë, por ky është epilogu kah janë duke shkuar.
E pyetur nga 2LONLINE se a mund të përfundojë kjo çështje në arbitrazh, Tahiri ka thënë se në qoftë se pala tjetër e vlerëson se ka nevojë për diçka të tillë, pse jo.
“Kur diçka nuk funksionon, nuk funksionon. Ne duhet ta marrim në dorë situatën, ne duhet të ofrojmë shërbime për qytetarë. Me keqardhje që ka ardhur puna deri këtu, nëse nuk ka mjaftuar koha e tyre, janë me vite duke negociuar, atëherë cili do të ishte fundi tjetër?!”, ka përfunduar Valbona Tahiri, drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit.