Si viteve të kaluara edhe këtë vit po shënohen ditët e Komandant Lleshit. Shënimi i këtij manifestimi ka nisur i zbehtë, me një prezencë simbolike të qytetarëve.
Vizita në Muzeun e Komandant Lleshit–Ridvan Qazimit tek stadiumi i KF Tërnocit, ditën e shtunë, ka shënuar fillimin e manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.
Me këtë rast një elaborimin rreth veprës së dëshmorit Ridvan Qazimi e bëri kryetari i Këshillit organizativ, Naim Salihu para të pranishmëve, familjarëve të Lleshit, përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale dhe një grupi të qytetarëve, transmeton Titulli.com
Pas vizitës që të pranishmit i bënë Muzeut, sipas programit u zhvillua ndeshja miqësore futbollistike në mes të KF Tërnocit dhe KF Bilaçit.
Të pranishmit i përshëndetën edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit, Agim Haliti si dhe veprimtari Nexhat Aliu.
Ndonëse Këshilli organizativ kishte njoftuar me kohë për mbajtjen e manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”, një numër simbolik i qytetarëve kanë marrë pjesë në te.
Kjo pjesëmarrje e vogël u pa edhe tek shfaqja e komedisë “Jashtë bie borë” në shtëpinë e kulturës në Bujanoc, pjesë e manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.
Shënimi i rënies së Ridvan Qazimit do të vazhdojë edhe ditën e diel, 24 maj, kur në ora 13:00 nga stadiumi i fshatit Tërnoc do të marshohet deri tek vendi i rënies së komandantit, “Guart e Buajve”, ndërsa nga ora 17:00 pesë shoqëri kultuororo-artistike do të defilojnë nga stadiumi në Tërnoc e deri në sheshin e Bujanocit.
Në këtë rrugëtim do të bëhen edhe homazhe tek varri i dëshmorit, për të vazhduar më pas me festivalin e dytë mbarëkombëtar të këngës dhe valleve shqipe, me çrast në program do të paraqiten edhe shoqëritë nga Çegrani i Maqedonisë si dhe Zhegra e Gjilanit.