/2L ONLINE/ – A ka në Gjilan dhe jashtë Gjilanit varreza të përbashkëta të gjilanasve të vrarë gjatë luftërave të kaluara? Në këtë pyetje është mjaft vështirë të përgjigjet ndonjë gjilanas, por në bazë të hulumtimit të arkivave të ndryshme dhe mbamendjës së gjilanasve të vjetër mund të mësohet se ku janë varrosë gjilanasit që janë vrarë e masakruar që nga Luftërat Ballkanike e këndej. Mirëpo, a është interesuar ndonjë individ apo ndonjë segment tjetër institucional për të bërë hulumtim rreth kësaj çështje është vështirë të përgjigjet ndokush! Përderisa në shtetët fqinje të Kosovës bëhet shfletimi i dokumenteve arkivore dhe hulumtohet mbamendja e qytetarëve, për të hulumtuar varrezat kolektive, të vrarët e të zhdukurit e popullatës së tyre, në Kosovë rreth kësaj heshtët, për të kaluar kështu në harresë, e dihet se, ai popull që e harron të kaluarën, ajo edhe fare lehtë, mund t’i përseritet.
Për të mos iu bashkangjitur varganit të përsonave që heshtin ate që kanë pare, dëgjuar e lexuar, mora guximin që të shkruaj për ate që kam dëgjuar gjatë bisedave të ndryshme dhe punës sime profesionale si gazetar në Gjilan e për Gjilanin, pastaj nga ajo që kam lexuar dhe shenuar skeda për këto çështje.
Ne një ndejë odash në Gjilan, Tahir Bajrami-Radeci, si puntor i një ndërmarrjeje ndërtimore në Gjilan tregonte se, duke mihur themelin e shtëpisë kolektive të baninimi afër objektit të Agjensionit të pylltarisë në Gjilan , që gjindet në mes të Gjimnazit të ri, Shitorës Viva Fresh dhe shkollës së mesme teknike, kishte hasur në një varr, në të cilin kishte qenë e varrosur një femër, thuaja se e ballsamosur, por më t’u takuar me diellin, ajo kufomë ishte shëndrruar në hi e pluhur. I interesuar pastaj për të kuptuar më shumë, kam mësuar nga pleqtë gjilanas, se hapsira tokësore që është përdorur për fidanishten e menjiherë pas Luftës së Dytë Botërore, paska qenë varreza koletive të gjilanasve të vrarë gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Eshtë për t’u habitur se si nuk u zbulua apo lajmërua asnjë gjurmë varrezash nga gërmimet për ngritjen e gjithë atyre objekteve që tashme janë ngritur në atë territor. Një rast i gjetjes së eshtrave gjatë vitit 2003, për çka u njoftua Televiozioni MEN, që punonte atëherë përpak që nuk u bë aferë për t’u mëshef ky rast. Dhe nuk është habi që edhe në Stadionin e qytetit hapen vrima të frikshme e quditëse. I ndjeri Fahredin Bexheti, ka thënë se edhe istikamet (tabet) e që i kanë hapur gjermanet prej shkollës së sotme ekonomike e deri në lumin Mirushë kanë qenë të mbushura me kufoma të gjilanasve. Po ky rrefimtar, ka dëshmuar se istikame (tabe) të tilla ka pasur edhe përgjat parkut në qendër të qytetit.
Varrezë tjetër kolektive e gjilanasve dhe anamoravasve ndodhet në oborrin e kazermës së Forcave të Sigurisë të Kosovës. Këtë varrëze, e ka parë dhe sot edhe mund ta lokalizon (ubifikon) Ali Kajtazi, i cili është gjallë dhe vetë i ka parë kufomat në te në kohën kur ka qenë fëmijë, e cila u takon viktimave, kryesisht shqiptare, të varë gjatë ditëve të Masakrës së Gjilanit. Po në këtë lokalitet, por në pjesën e kundërt, në jug, është thënë se ndodhen të groposura eshtrat e pesë vetave të grupit të Hasan Alisë (Remnikut). Varreza të tilla, por të shpërndara po të kësaj kohe, gjinden edhe në parkun e tashëm prapa Kombinatit të duhanit, e të tilla ka pasë edhe në lokacionin e gurëthyesit “Gllama” por që të gjitha janë asgjasuar apo mbulluar me dhe .
Trupa të pajetë të shqiptarëve, po të kohës së Masakrës së Gjilanit janë hudhur edhe në një gropë, e cila ka qenë në skajin jug-lindor të varrezave të sotme të qytetetit të Gjilanit, e gjilanasit flasin se Hamit Malisheva, ka numëruar aty qindra e qindra kufoma të hudhura. Nuk duhet harruar se dikund në këto lokacione apo gjetiu janë hudhur edhe të pushkatuarit, paria dhe intelektualët gjilanas, të vrarë prej 16 Nëntorit të vitit 1944 e deri me 23 dhjetor të atij viti.
Varreza kolektive të gjilanasve e të banorëve të Anamoravës ka edhe në territore tjera të Kosoves, mbase edhe në territoret tjera të vendeve të ish Jugosllavisë. Pos Tivarit e Beçejit, varreza masive të gjilanasve ka edhe në Drenicë e vende të tjera. Në Arën e Dervish Bazajt, në Tërstenik të Drenicës, është varreza e 17 vetave nga kjo anë: Muharrem Ibrahimi, Mehmet Sllamniku, Reshat Sherifi, Bislim Muharrem Rrahmani, Ramadan Z. Islami, Ibrahim Fetahu, Qerim Jusufi, Hysen Abedini, Ahmet Tasini, Ilaz Hyseni, Rexhep Halimi, Hyseni i Elez Rekës, Sylejman Hasani, Kurtesh Shaqiri, Hasan Berberi, Murat Musliu e Nazim Ballanca. Këtë varrezë e kanë zbuluar dhe rregulluar familjarët, por asnjë udhëheqës e përfaqësues institucional nga Gjilani nuk e ka vizituar. Varrezë e 18 gjilanasve ndodhet dikund në rrethinën e Deçanit, sigurisht të vrarë nga luftimet që janë bërë afër Rr’pijave, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas dëshmisë së Raif Halimit nga Cërnica: Isuf Gjilani, Shaban Dërvishi, Xhafer Lladova e Mulla Hysen Bllaca, janë vrarë e varrosur në varrezat e atëhershme të Pejës, e që tash është park i qytetit. Ngjarjen Raif Halimi e kishte vështruar nga dritarja e kullës së Zajmëve të Pejës, që atëbotë ishte burg. Flitet se Tahir Devaja e Hajrush Ramjani janë të varrosur tek “Vorri nën mollë“ që gjindet në oborrin e Shasivar Ali Kodrës në Prekaz të Poshtëm.
Janë këto vetëm disa detaje për varrezat kolektive të gjilanasve dhe anamoravasve, të cilat i kam evidentuar nga rrefimtarët e ndryshëm apo lexuar nga libra të shkruara, por me siguri ka edhe në vende të tjera, andaj duhet angazhuar ndonjë asociacion qoftë institucional apo shoqëri civile e cila do të gjurmonte për të zbuluar edhe varreza të tjera, për çka supozoj se ka. Përndryshe, nësë kjo punë nuk bëhet, këto varreza do të mbesin të zhdukura ashtu siç janë, e nëse nuk gjenden, atëherë do të mbetët e pa hulumtuar kjo pjesë e historisë sonë, e vaj halli nëse na përseritet sërish.
Referenca:
1. rrefim i Tahir Bajrami (Radeci)
2. rrefim i Fahredin Bexhetit
3. rrefim i Ali Kajtazit
4. rrefim i Ilmiut të Livoqit
5. rrefim i Halim Jetishit
6. Muharrem Bajrami: Batalioni kosovar i rinisë 1944/45, Gjilan, 2006
7. Reshat Ramadani: Gjilani, terrori, represioni dhe ekzodi 1944/45, Gjilan, 2002