/2L ONLINE/ – Ndonëse Lutfi Haziri-Luta kishte deklaruar disa herë se nuk do të jetë më kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, pas përfundimit të këtij mandati, dhe po ashtu janë disa emra që përfliten në LDK dhe në skenën politike gjilanase se mund të jenë kandidatura të forta për një garë të tillë, kështu nuk mendon Arbër Ismajli, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit.
Ai beson dhe thotë me bindje se derisa nuk kemi emër zyrtar për kandidaturë, Lutfi Haziri mbetet, kandidati i vetëm për të parin e komunës së Gjilanit edhe për zgjedhjet e ardhshme, por sigurt edhe fitues i asaj gare, ndërsa ndonjë emër tjerë i përfolur, mund të jetë dëshirë e ndokujt, por aktualisht jo emër i mundshëm për të qenë edhe njëmend kandidat që do ta nxjerrë LDK-ja në një garë për kryetar komune.
Ismajli ka lavdëruar tejmase figurën e Lutës. “Lutfi Haziri është kryetar i LDK-së së Gjilanit i zgjedhur unanimisht, përfaqëson denjësisht politikat e LDK-së në Degë dhe Qendër, ku është nënkryetar dhe ku roli i tij është i padiskutueshëm, për mua ai mbetet kandidatura e vetme e LDK-së për kryetar të komunës së Gjilanit edhe në të ardhmen”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa për emrat e përfolur si kandidat të mundshëm që LDK-ja mund t’i nxjerrë në garë për të parin e Gjilanit, ai është shprehur negativisht . Disa nga emrat e përfolur janë ai i ministrit të shëndetësisë Imet Rrahmani, i kryesueses Valentina Bunjaku-Rexhepi, të drejtorit aktual të Bujqësisë Ramiz Ramadanit, apo edhe ndonjë emri tjetër, duke përfshirë edhe aso që nuk janë LDK, por që mund t’i bashkohen këtij subjekti dhe të dalin në garën në fjalë si shembull, ai i Faton Bislimit, i angazhuar tani së fundi nga Lutfi Haziri si këshilltar i kryetarit për investime të jashtme, me pozitën e koordinatorit tё politikave dhe marrëdhënieve rajonale.
Shefi i kabinetit Arbër Ismajli thotë se tre të parët janë emra të respektuar në LDK, me bagazh të mirë politik, secili veç e veç, por se i mbetet besnik besimit të tij se Haziri do të jetë kandidati, e sa i përket emrit tjetër që nuk është pjesë e LDK-së, Ismajli thotë se edhe ai është një djalë i ri me perspektivë, i respektuar në qytet, me bagazh të mirë intelektual të arrirë jashtë vendit, por se duhet të tillët të vijnë në LDK, ta përfundojnë një mandat politik katërvjeçar, mandej pas kësaj periudhe mund të diskutohen nëpër organet përkatëse të partisë, edhe mundësia për kandidatura të mundshme të të tillëve.
Ismajli thotë se LDK-së duhet me i dhënë shumë për me kërkua pak nga ajo, ani se ajo pak është boll, mund të fitojnë besimin e partisë për të qenë nëpër pozita apo edhe për të fituar të drejtën për të qenë kandidatë nëpër lista në cilat do zgjedhje, qofshin ato komunale, për këshilltarë, ato qendrore, për deputetë, apo edhe përgjegjësi tjera të këtyre dy niveleve. /2L ONLINE/