Nga: Avni RUdaku
Halimi është 23 vjeç! Ka mbaruar studimet për diplomaci në një universitet fetar të SHBA-së, por sapo i tregon të tjerëve se i ka mbaruar studimet në SHBA, shikohet më pushtetshëm. Kurrë nuk tregon se ka pasur bursë nga një universitet që ka karakter fetar sikur shumë të tjerë që e mbajnë të fshehtë. Pas luftës, ishte etje e madhe e ndërkombëtarizimit në Kosovë dhe vetëm kohës së fundit, të studiosh jashtë vendit, nuk shikohet me aq superioritet automatik sikur vlerësohej menjëherë pas vitit 1999.
Halimi si karakter, njihet në shoqëri si ‘peder’!
“Më kanë quajtur peder vetëm se një ditë e ftova dikë të pi kafe dhe nuk ia pagova!”
Gjatë jetës sime kam dëgjuar shpesh fjalën “peder”, por gjithmonë në kuptime të ndryshme.
Arditi 20 vje çar, shok i luftës së Halimit, vetëm e kishte zërin më të hollë se të tjerët, e kishin tallur me etiketën: “Peder!” Por Arditi kur ia shpjegonte intimisht apo publikisht miqve fantazinë e tij seksuale, thoshte se “ishte heteroseksual maksimalist”! Madje shprehej se “dëshira më e madhe e tij ishte kur luante me sisët e femrave”!
– Një femër që nuk ka cica të mëdhaja, nuk është për mua femër. Gjoksin e rrafshët si dërrasë. Ajo është mashkull për mua! – shprehej bukvalisht Arditi, teksa po ia rrëfente dëshirat e tij seksuale një mikes së tij dhe po i kërkonte falje që nuk i thoshte ‘sisët’, por ‘cicat’.
– Kur i them ‘cica’, më duken më të mëdhaja edhe në formë, më kafe në ngjyrë lëkure dhe me distancë të përkyer ndërmjet tyre, ndërsa kur i them ‘sisët’, më duket sikur po flet dikush vetëm për funksionin e tyre anatomik dhe mjekësor. ‘Sisët’ nuk ma çojnë, ndërsa ‘cicat’, me të parin shikim në vijën ndërmjet tyre! – vazhdoi ai zbërthimin terminologjik për shkak që gjindej brenda turpit e fajit për ‘fjalët e ndyta’ që përdorte.
Por rasti i Arditit rreth ndjenjave dhe mendimeve erotike-seksuale nuk është i vetëm. Gjatë jetës sime kam dëgjuar edhe Valtonin, ish zyrtar i lartë në qeveri, i cili thoshte se “sikur të isha homoseksual, përsëri do të bëhesha lesbike!” Pra, aq shumë i donte femrat Valtoni, sakaq thoshte se “do të bëhej lesbike, vetëm që të kishte marrëdhënie romantike e seksuale me një femër, seksin e kundërt, e jo me një mashkull kurrsesi”!
Edhe Besi m’u ka duk tip i habitshëm kur e përdorte fjalën peder.
“Ma peder se ai nuk ka! Peder mashkull!” – duke nënkuptuar me ‘peder’, dikë që nuk e mbante fjalën, që nuk vinte me kohë në takime dhe ishte neglizhent i premtimeve.
“Paramendo, më thirri me pi kafe Tefiku, u dashtë me ia pague unë atij kafen dhe vetes. Ama paramendo, vetë më ftoi, edhe me ia qarosën kafen unë. Ku ke parë ti kështu peder ma të madh se ky, Tefiku?!” – më pati thënë edhe Mishi. Me thanë të drejtën, Mishi ma pati ngatërruar aq shumë fjalën ‘peder’, sa më dukej se ‘peder’ përdorej vetëm për cilësi, sjellje e tipa negativ në shoqëri.
Njëherë shkova e vizitova Kujtën, menjëherë më rrëfeu për një problem që e kishte bërë shumë nervoz.
“Isha tek automekaniku “Coli”, ma nguli keq. Pjesa ka kushtuar 5 euro, ai ma caktoi shumën prej 50 eurosh. Edhe unë budallë, nuk shkova në dy vende, por vetëm tek ai. Ma nguli keq pederi, kishe me të njofshëm!” – u shpreh Kujta.
“O bre pederin e nanës, po qysh s’ma rrasi hiç. Shkova te zyrja, trokita në mënyrë shumë të qytetëruar, më tha se nuk kam kohë, kam shumë palë” – më tregonte një tjetër takim zhgënjimi, Veseli, daja i Kujtës, të cilët thuase si familje e farefis, po e përdornin fjalën ‘peder’ vetëm për karaktere negative të shoqërisë.
Unë e nguca pak:
“Po e zëmë se do të kishe realizuar takimin. A do t’i binte se ta ka rrasur, pasi që e quajte ‘peder’ vetëm se nuk është takuar me ty?!”
Daja i Kujtës thoshte se në Kosovë gjithmonë fjalën ‘peder’ e kanë ndërlidhur me gjakovarët dhe Gjakovën, ndërsa në Shqipëri vetëm me Kavajën. E pyes dajën e Kujtës pse po i paragjykon gjakovarët, ai më tha:
“Nuk është paragjykim, ashtu është. Gjakovarët janë pedera moti. Nuk janë krejt, ama njihen për pedera sikur njihen gilangjitë për drogë e pasuri!” – ma ktheu i bindur ai, por kurrë nuk po e mendonte se ishte krejtësisht stereotip lokal dhe i pavërtetë, si për gjakovarët, si për gjilanasit.
“Dëgjo, Gjakova ka pasur për pesëdhjetë vite ndikim të madh në shoqëri. Ata ishin politikanët më të fuqishëm të Kosovës, elita më me ndikim për muzikë, batuta, shkencë, arsim, etj. Prandaj, duke qenë se gjakovarët ishin me pushtet, njerëzit me halle kërkonin ndihmën e këtyre elitave politike, kulturore, arsimore, ekonomike dhe shkencore nga Gjakova. Kur nuk ia plotësonin dëshirat a kërkesat, apo nuk ia zgjidhnin problemet, atyre u thuhej ‘pedera’, sepse nuk i punësonin, nuk ndërhynin në ndonjë proces etj. Kur u thuhej ‘pedera’, në fakt u thuhej koprracë, jo homoseksualë. Po aq sa është i ngulitur cilësori ‘peder’ për gjakovarët, është i ngulitur edhe ‘koprrac’. Ngjashëm me zhvendosjen e pushtetit në Drenicë, qarkullonin me qindra batuta kundër drenicakëve pas luftës. Zakonisht batutat janë të drejtuara kundër atyre me pushtet” – u përpoqa t’ia sfidoja paragjykimet dajës së Kujtës, me ca shpjegime më akademike.
“Po de, koprraca janë. Nuk thashë as unë, janë homoseksualë. Ti e the vetë atë, unë nuk e thashë. Kur thashë janë pedera, janë si jehudët, koprracë” – ma ktheu përsëri ai.
“Edhe për koprraci, edhe për homoseksualitet, janë paragjykime. Secili përgjithësim është përtacia për të menduar më tutje për individualitete dhe për ta bërë botën më të thjeshtë” – vazhdova paksa duke filozofuar dhe mbarova bisedën, sepse ishte i mbushur me skajshmëri mendimi.
Më pas, më kujtohet edhe njëfarë Betimi, i cili kishte punuar për disa vite në një organizatë që mbronte të drejtat e njeriut. Ai thoshte se vetëm një arsye ishte pse i mbronte ‘pederat’.
“I mbroj pederat sepse duke i mbrojtur pederat, është testi më i lehtë social për të parë nëse shoqëria është konservatore, islamike, tradicionale, patriarkale, e tjerë e tjerë. Kur i mbroj pederat, i mbroj sepse pëlcasin myslimanët ekstremistë dhe kështu bëhen më tolerantë” – më thoshte Betimi, ndonëse e këshilloja herë pas herë se fjala ‘peder’, përdoret në mënyrë pezhorative dhe me tone ofendimi për homoseksualët, prandaj duhet hequr nga fjalori, pasi që është i ngjashëm me shprehjet ofenduese për romët, si fjala magjup; si fjala shka për serbët; si fjala siptari për shqiptarët…
Kam takuar edhe njëfarë Xheladini që e akuzonte kushëririn e tij, Shaqën, se ishte peder, vetëm pse i ndukte vetullat e trasha nga testosteroni i fuqishëm.
“I nduk vetullat Shaqë pederi. Nganjëherë e kam parë rrinë edhe me pasqyre të vogël në dorë si femrat dhe me lënë në shoping, flen në markete e bizhuteri. Pidh mashkull” – vazhdonte Xheladini, duke përdorur fjalor mjaft vulgar.
“More ai ndoshta ka qenë metroseksual, jo gej” – ia ktheva unë.
“Jo, jo, ai nuk ishte në metro, por në stacion të autobusëve kur e pashë që i nduki vetullat” – vazhdoi ai, duke mos e kuptuar fare fjalën ‘metroseksual’.
Fjalën ‘peder’ e pati shpjeguar njëherë një profesor i gjuhës shqipe, me foljen ‘pedaloj’!
“Pederi është pedaluesi. Ngjashëm sikur pedaluesi që lëviz këmbët e biçikletës, ashtu pederi i lëviz këmbët e tij për të joshur partnerin e tij mashkull – hipës. Kur pedaloni, i hipni biçikletës, e kur i hipni mashkullit si mashkull, ju pederoni!”
Sado që i pëlqeu krejt klasës, mua m’u duk se ishte krejt naive baza e të argumentuarit. E kundërshtova profesorin.
“Pedofilia është perversion seksual i të rriturit me fëmijët. Pedo është fjala për fëmijët. Kur është përdorur në Greqinë e vjetër, ndoshta e kanë kuptuar edhe si mashkull i rritur që ka pasur fiksim erotiko-seksual ndaj fëmijëve meshkuj. Pedos vjen nga greqishtja, e jo nga mënyra se si e kemi ndërtuar në gjuhën shqipe. Pederasti ka qenë dashnor i djemve, por ne e kemi devijuar si term sikur ndodh me secilin term tjetër!”
“Shpjegim interesant, por mos u bë peder tash. Nuk duhet me u ba peder e me kundërshtue profesorin!” – ma ktheu ai atëbotë, duke e lakuar nocionin ‘peder’ për njeriun që i kundërshton autoritetet, apo edhe për moskonformistët.
Por një ditë gjatë një ndeje me Mishin, ishte kapur tema për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë. Ishte ditë me diell dhe Mishi qeshej:
“Po nxen dielli sot, bash për pederat!”
Mishi për herë të parë e përdori për homoseksualët këtë fjalë, madje në shumës. I them atij se duhej lexuar më shumë për këtë grup individësh, të cilët në shumë vende të botës janë shndërruar në komunitet të fuqishëm, me suksese të jashtëzakonshme për të arritur dhe realizuar kërkesat e tyre sociale, morale, politike dhe juridike. Menjëherë reagoi:
“Ja nëse këta pranohen, le të pranohen edhe pedofilët!” – ma kthen me një ngurtësi, për t’u relaksuar më vonë nga disa argumente që ia paraqisja.
“Dëgjo, a keni parë një burrë të moshuar me ndonjë fëmijë përdore duke protestuar për të drejtat e tij si pedofil?!” – ia ktheva paksa me retorikë për të ardhur gjer në një përfundim edhe ai vetë.
“Po ku dalin, kur s’kanë fytyrë me fëmijë për dore. Ata janë fëmijë dhe krejt shoqëria reagon!” – ma ktheu ai.
“E, këtë desha ta them. Pse pedofilët nuk janë komunitet, nuk ekzistojnë si komunitet, nuk shfaqen si komunitet i organizuar dhe me kërkesa për pranim në shoqëri, është pabarazia në mes të dy subjekteve: i rritur dhe fëmijë. Gjersa njëri konsiderohet subjekt i barabartë, i vetëdijshëm dhe i pjekur për veten dhe të tjerët, tjetri është i papjekur, rrugës së zhvillimit psiko-social dhe rritjes graduale të përgjegjësive juridike, si dhe janë në kujdestari prindërore deri në moshën 16 e 18 vjçare. Edhe sikur t’i mashtronin fëmijët e tyre për të dalë bashkë me ta në rrugë, nuk do të pranonin kujdestarët dhe prindërit e këtyre fëmijëve, sepse po e zëmë se do të manipulonin fëmijët. Edhe sikur t’i bindnin fëmijët dhe prindërit a kujdestarët e tyre, nuk janë të bindur as vetë. Madje për nga simptomet e pedofilëve mbetet mospranimi i lehtë i sjelljes pedofile, duke gënjyer edhe para psikologëve e psikiatërve” – vazhdoja sqarimet shtesë se ku dallonin homoseksualët me pedofilët.
“Po nekrofilët?!” – pyeti Mishi.
“Kush del prej nekrofilëve në rrugë apo sheshe të botës, për të protestuar me trupat e vdekur apo xhenazet, për të realizuar dëshirat e tyre për seks” – e pyeta Mishin!
“Ka vende-vende se edhe kjo sjellje është aprovuar, por e saktë është se nuk janë komunitet si homoseksualët” – duke miratuar qëndrimin tim.
“Po vujaristët, pasi duan vetëm të shikojnë të tjerët duke bërë seks?!” – ma ktheu ai, duke lexuar këto terme në ‘google.com’ e duke më pyetur pastaj, sepse e dija se ai nuk i njihte edhe shumë terme të tjera nga fusha e vet profesionale, e lëre më gjerë.
“Vujaristët kënaqen seksualisht dhe pasivisht duke shikuar të tjerët për vrime çelësi. Asnjë prej tyre nuk ka dalë në rrugë të proteston se kërkon shikim të lirë, pa u penguar nga askush dhe që të hiqeshin çelësat e krejt zyreve e shtëpive të qytetit; se kërkojnë të hiqeshin perdet në shtëpitë private e publike dhe fabrika e perdeve të zhdukej nga faqja e dheut, që t’i mundësohej secilit vujarist të shikonte çiftet teksa zhvisheshin dhe bënin seks, dhe këta si vujaristë, të kënaqeshin duke i shikuar të tjerët gjatë aktit seksual!” – u zgjerova tutje me shpjegime.
“Më binde njeri që homoseksualët dallojnë prej pedofilëve, nekrofilëve dhe vujaristëve, sepse janë komunitet i organizuar, guxojnë dhe kanë bindur shumë shoqëri se janë të pjekur, janë dyja palët të vetëdijshëm për veten e tyre, janë mbi 18 vjeç dhe tashmë shumë prej tyre kanë simpati te njerëzit e fuqishëm dhe më gjerë” – pohoi Mishi.
“Normaliteti nuk vjen vetëm prej gjenetikës sikur e mendojnë shumë prej nesh. Më shumë se fakt biologjik, homoseksualiteti mund të shihet edhe si fakto socio-politik. Fakti se janë apo nuk janë normalë me gjenetikë, nuk ka fare lidhje. Edhe për nekrofilinë, pedofilinë, e tjerë e tjerë, ka mendime se kanë baza gjenetike, por kjo nuk i ka bindur shumë shoqëri, që t’i pranojnë si sjellje normale. Nëse një ditë do të dalin zoofilët, njerëzit që kanë ndjenja, mendime, fantazi dhe sjellje erotiko-seksuale ndaj kafshëve, dhe të kërkojnë të bëjnë dashuri me kafshët, në fillim mund t’u refuzohet, madje edhe të vriten në shoqëri të caktuara. Me kalimin e kohës, viteve, qoftë edhe shekujve, me organizim, mobilizim dhe strukturim në komunitet që ndajnë vetëdije të përbashkët, kulturë të përbashkët dhe mentalitet të ngjashëm për seksin, atëherë do të bëhen edhe ata komunitet i pranueshëm. Gjersa nuk do t’i shohim zoofilët në rrugë me qenë, mace, tigra, e tjerë e tjerë, duke protestuar, apo kjo nuk do të thotë se në vitin 5240, nuk do të protestojnë, nuk do ta realizojnë të drejtën e tyre. Madje edhe sot e kësaj dite vazhdon zoofilia të jetë e pranishme kudo. Kujto pelat te ne sikur i përmendin në mahi disa të moshuar tanë?!” – ia thashë edhe këtë për të qenë edhe më i qartë para Mishit.
“Ama krejt në rregull, por nëse dy meshkuj duan seks, janë homoseksualë, kanë dy penisa. Ata ku e fusin? Në vrimë anale, në gojë, në fërkime penis-penis… Ama bre, zorra e trashë është e bërë për gjëra të tjera si jashtëqitja, ndërsa ku ka më kombinueshëm sesa penisi si jashtëtrupor dhe vagina si gropë. Gjersa penisi është qitje jashtë, vagina mbetet mungesë brenda. Njëri minus, e tjetri plus. Shkojnë mrekullueshëm kur bëhen bashkë, kastraveci në bardak!” – u ndez në filozofim Mishi dhe më habiti krejtësisht në transformim.
“He Mish, he filozof! Është e vërtetë kjo, por ti kështu mendon sepse je heteroseksual sikur unë. Por për homoseksualët, minusi me minus krijon ekstazë erotike. Për disa panseksualë, edhe i pëlqen minus me minus në njërën anë, ose vetëm tjetra plus me plus (lezbiteti dhe gejiteti), edhe i pëlqen minus me plus (heteroseksualiteti), edhe minus me plus e minus me minus (biseksualiteti)…Janë panseksualë, kanë ndjenja dhe përfytyrime erotike-seksuale me të gjitha kategoritë e orientimit seksual!” – ia ktheva për së shumti herë Mishit, pasi u thelluam në bashkëbisedim të gjatë.
“Po bre, po, ama meshkujt homoseksualë nuk bëjnë fëmijë në mënyrën e tyre nëse marrim formulën ‘minus me minus ose plus me plus’! Prandaj, superioriteti i heteroseksualëve është se nuk bëhen iftiaqë për fëmijë” – përpiqet përsëri për të sfiduar disa teza Mishi.
“O Mish! Dëgjo, dëgjo… Sterilët, a janë edhe heteroseksualë dhe nuk rezultojnë me fëmijë. Prandaj, argumenti se homoseksualët nuk bëjnë fëmijë dhe zhdukin gjenin e njerëzimit, nuk qëndron fare. Pse nuk po e zhdukin njerëzimin, edhe sterilët, që në shumicën e rasteve janë edhe heteroseksualë?!” – insistova në kundërargumente ndaj kundërtezave të Mishit.
“Po ti si profesionist që i thua vetes, a është i lindur apo i fituar homoseksualiteti? Nëse është i lindur, nuk kanë faj. Ama nëse është i mësuar, është lazdrim dhe nuk janë pa faj!” – shprehet Mishi.
“Mishi, dëgjom, le atë telefon se më pyete tash! Pak koncentrim, se shekulli XXI e shkatërroi vëmendjen! Po e zëmë se nuk është i lindur dhe nuk është gjetur ndonjë defekt në kromozom sikur ndodh në disa sëmundje, ose kombinim gjenesh për sëmundje të caktuara që janë dallash. Hiqe prej mendjes trashëgiminë dhe po e marrim krejt të fituar nga shoqëria! Dhe nëse fitohet nga mjedisi familjar, social, mediatik, kulturor, e tjerë e tjerë, atëherë përsëri nuk ka faj, sepse nëse mbesin të forta ndjenjat erotike homoseksuale nga fëmijëria e hershme për shkak të rrethanave të caktuara të mënyrës së rritjes dhe raporteve me prindërit apo kujdestarët, përsëri nuk ka fuqi ky individ të ndëshkohet për një sjellje e cila është formësuar në fëmijërinë e hershme. Paradoksalisht, edhe ‘të fituarit e homoseksualitetit’ në jetë, e jo nga gjenetika apo prenataliteti, atëherë përsëri është njësoj, sepse fuqia e tij për t’iu kundërvë këtij formësimi të hershëm psiko-social, nuk është fare e lehtë. Prandaj, argumenti, se qenka nga gjenetika apo nga mjedisi social dhe përcaktimi se e para duhet të shkakton fajet, ndërsa e dyta jo, është fort e gabueshme dhe e paqëndrueshme. Edhe njëherë: nëse një fëmijë edhe në moshën 4 vjeçare e paska ‘fituar’ homoseksualitetin, përsëri është sikur të ishte gjenetike, sepse është i pafuqishëm për të ndërruar krejt këto ndjenja në moshë të rritur. Që ka ngelur në stadin anal frojdisht, edhe pse nuk është gjenetikisht, nuk ka lidhje fare për ta fajësuar për rrethanat në të cilat është gjetur fëmija gjatë jetës së tij të hershme!” – kundërreplikova për së fundi herë, sepse debati nuk ndalej dhe kisha vendosur të shkoja në shtëpi, ngase isha lodhur me shumë takime sot.
“Ngadal, ngadal! Qysh po mbetet?!” – përpiqej Mishi të merrte një përfundim krejt direkt e të qartë.
“Kushdo që është i vendosur në çështjen e tij, shfaqet apo ekziston, ngulmon e sakrifikon, artikulon kërkesat e tij, organizohet në komunitet me njerëz që ndajnë vlera, ide, besime dhe sjellje të ngjashme ose të përafërta në orientime e shije, pavarësisht normalitetit, gjysmë-normalitetit apo abnormalitetit të kohës, do të ketë herët a shumë vonë, pranimin në shoqëri. Ndërsa homoseksualët këtë e kanë arritur në shumë shoqëri, shtete e kultura, dhe fare pak kanë nevojë të marrin edhe argumente se janë normalë si të tjerët; ose se janë hequr nga lista e çrregullimeve apo perversioneve seksuale e sëmundjeve, nga Asociacioni i Psikologëve Amerikanë gjatë vitit 1973 apo dekadën e fundit të shekullit XX nga Organizata Botërore e Shëndetësisë!” – iu përgjigja Mishit, me shpresën ta përfundoja.
“Po cilin problem do ta shihje te tradita kosovare që nuk e pranon lehtë homoseksualitetin?!” – iu kthye Mishi raportit specifik me shoqërinë dhe vendin ku jetonim dytë.
“Unë kam parë shumë nëna duke përfytyruar e duke u lavdëruar para të tjerëve se “do ta marrim rejën më të bukur në mëhallë”, “me rejën tonë nuk ka”, e tjerë e tjerë. Imagjinoni një nënë kosovare, e cila e ka fiksim ‘rejën’ dhe për një moment i konvertohet në ‘riun’, sepse biri i tij është gej! Paramendoni sa do të zënë edhe në maje të gjuhës në fillim gjersa të mësohen të kenë jo vetëm ‘reja’, por edhe ‘riosha’! Paramendoni një vjehrrë duke u lavdëruar: “me riun tonë s’ka, është më i bukuri në mëhallë”! Por mësohen dikur edhe me këtë! – ia mora një shembull të shpejtë me traditën kosovare, duke mos iu përgjigjur më dhe duke ikur te kamarieri, sepse po qe se nuk ia pagoja kafen, do të më quante edhe mua ‘peder’, ose tahmaqar!
Mishi bërtiti duke më thënë: “Atëherë shkoni ndërroni librat e psikologjisë së Pajazit Nushit, sepse shumë prej tyre e kanë vënë homoseksualitetin në kapitullin me perversionet seksuale si: zoofilia, pedofilia, nekrofilia, ekzibicionizmi, vujarizmi…”
Unë ika, nuk u ktheva e nuk shtova asnjë fjalë edhe pse vazhdonte Mishi. Po të ishte daja i Kujtës, Veseli, edhe për këtë sjelljen time, do të thoshte ishte sjellje pederi, se ‘demek nuk ia rrasa, nuk u ndala ta vazhdoja debatin, por ika shpejt dhe u bëra indiferent”!