| MURALFEST KOSOVA | ON(OFF)LINE | MURAL | GJILAN |
Pak nga pak, po shtrojmë veprimtarinë tonë në të gjitha komunat e Kosovës. Këtë herë me kënaqësi filluam bashkëpunimin me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan për t’iu dhuruar qytetarëve të Gjilanit dy murale të përmasave të mëdha mu në qendër të qytetit të tyre.
Patëm nderin dhe kënaqësinë të mikpritemi nga qytetarët e kësaj komune që na bënë të ndihemi si në shtëpinë tonë përgjatë tërë ditëve të punës.
Bogdan Scotaru është artisti danez i cili pikturoi një nga dy veprat e mahnitshme në qytetin e Gjilanit.
Më poshtë gjeni konceptin e veprës artistike sipas fjalëve të autorit:
“Kjo pikturë është një eksplorim i marrëdhënies së botës personale/të brendshme ,që mund të jetë edhe shpirtërore ose psikologjike, dhe botës së jashtme.
Personazhi femëror paraqitet si realisht ashtu edhe në teknikën e përmbysur për të simbolizuar si materialen ashtu edhe shpirtëroren, një paralelizëm që ngrita ndaj tematikës së edicionit të sivjetëm të Festivalit të Muraleve- On(OFF)Line.
Nga ana tjetër, teknologjia (vargu i antenave) paraqitet vetëm në teknikën e përmbysur, duke e ftuar shikuesin të bëjë pyetjen “a është teknologjia një shtrirje e mendjes sonë?”. Kjo është frymëzuar nga ajo që disa sipërmarrës në industrinë e teknologjisë e kanë thënë, teknologjia mund të shihet si një pajisje ndërfaqe njerëzore e krijuar nga vetë njeriu.”
Projekti përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport – Gjilan