Qëndrimet e partive politike në Kosovë mbesin të betonuara karshi procesit të dialogut me Serbinë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk po konsiderohet unifikues, përkundrazi, ai mbetet edhe më tutje njëri ndër politikanët më përçarës në skenën politike në vend.
Shkruan: Ardian Azemi
Këtë e dëshmon fakti se pak nga partitë politike, të paktën publikisht, e përkrahin Thaçin të jetë udhëheqës i dialogut me Serbinë. Kemi parë që qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qenë proaktive në këtë çështje, dhe ky fakt e thellon edhe më shumë hendekun në të cilin tani për tani ndodhet procesi i dialogut.
Kryeministri Haradinaj shihet si figure unifikuese e spektrit politik në vend. Nëse proceset i shohim pa dioptri partiake, e vërteta është kështu; Haradinaj ka mundësi të nxjerrë më të mirën e mundshme për dialogun, fjala është për unifikim në këtë proces.
Nga dje kemi kuptuar se qeveria e Kosovës do ti informoj deputetët për të arriturat, sfidat dhe pengesat në dialog. Ky është një hap i drejtë dhe i nevojshëm, porse shumë i vonuar. Kuvendi deri më tani ka qenë totalisht i pa informuar se çfarë realisht po ndodh në dialog, si dhe për çfarë tema flitet.
Deputetët janë populli, andaj ata kanë të drejtë të informohen për çdo hap institucional, e lëre më për tema aq të ndjeshme.
Kreu i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, jo më larg se gjatë javës së ardhshme, do të duhej të thërret një takim, lirisht mund të themi të jashtëzakonshëm, sepse edhe rrethanat janë të jashtëzakonshme, me partitë politike, respektivisht kryetarët e partive, dhe të shtroj hapur debatin për dialogun.
Nëse flitet për amnisti, për heqje apo vënie të vijave të kuqe, rrezikim të territorit të shtetit, atëherë çdo vonesë e këtij takimi do ti faturohej Kosovës. Haradinaj duhet ti ftoj në një takim të gjithë; partitë politike, shoqërinë civile, dhe Akademinë e Shkencave.
Duhet ta kemi të qartë se ne dialogun me Serbinë flitet kryekëput për Kosovën, rregullimin e brendshëm të saj, dhe formën sesi prezantohet jashtë. Nëse i kemi të qarta këto, atëherë si i japim të drejtë vetës të flasim paraprakisht për kompromise, për heqje të vijave të kuqe?!
Shteti ynë është i pavarur, ka Kushtetutë dhe ligje. Çdo vendim, marrëveshje dhe pajtim që bie ndesh me dokumentin bazë të shtetit, është i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm. Individi, grupi, partia dhe partite politike, dhe çdo institucion shtetërorë, është nën këtë dokument dhe i pafuqishëm përball tij.
Që dialogu të kthehet në pikën zero, është e pamundur. Ne mund të flasim dhe mbajmë qëndrime të palëkundura, porse kthim mbrapa nuk ka. Çdo deklaratë për kthim në pikën zero, është veç për votë dhe për me mbajt aktiv elektoratin.
Fokusi duhet të jetë tek rrethanat aktuale, me shpëtua atë çka ka mbetur, nëse veç ka mbetur diçka. Kosovës nuk i ndihmojmë duke u distancuar, duke neutralizua individë pavarësisht postit, duke mbajt inate politike të kahmotshme. Kosovës i ndihmohet veç duke dhënë ide, propozime dhe duke i bashkërendua ato.
Meqë jemi në përfundim të dialogut me Serbinë, unifikimi është i domosdoshëm, dhe i pa tjetërsueshëm. Çka mund të ndodh nëse Kosova për herë të parë arrin të ketë një politikë unifikuese?!
Bashkërisht do ti analizonin të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel. Shumë ma kujdesshëm dhe ma qartësisht do ta kuptonim se cilat marrëveshje janë implementua pak, e cilat fare hiç. Ku janë bërë gabime.
Ku kemi dështime dhe arsyet pse nuk është bë ndryshe. Kësisoj, ka mundësi vendi ynë të dal me një platformë unike bazë e cila i paraprinë marrëveshjes finale.