(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Kamenicës ende pa ia nisur punës mirë veçse ka pësuar ndryshime në fuqinë që kanë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend , për shkak të lëvizjeve të këshilltarëve nga një subjekt në tjetrin dhe më “meritorja” për këtë shihet se është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila zgjedhjet lokale i përfundoi duke i fituar katër ulëse për asamble, e tani ka ngelur vetëm me një.
Por, sipas paralajmërimeve të zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Kamenicë, ‘trazime” të tilla të Kuvendit pritet të ketë edhe në ditët në vijim, pasi ky subjekt pret që në radhët e saj të kalojnë edhe këshilltarë të tjerrë.
Kështu së paku është paralajmëruar përmes një komunikate të këtij subjekti politik, sipas të cilës, bëhet edhe një herë e ditur se tani më në radhët e tyre kanë dy ish këshilltarë të Asamblesë Komunale në Kamenicë, të ardhur nga AAK, ndërkohë që thuhet se Grupit të delegatëve të PDK-së në Asamblenë Komunale, pritet që ditëve në vijim t’i bashkohen edhe delegat/e të subjekteve tjera.
Po ashtu janë paralajmëruar edhe aderime të reja edhe të kuadrove profesionale n PDK-në e Kamenicës e cila në bazë të rezultateve të zgjedhjeve po qeverisë me Kamenicën, bashkë me partnerët e saj nga AKR e AAK.
A do të vazhdojnë këshilltarët e Asamblesë Komunale të Kamenicës të i ndërrojnë partitë, mbetet të shihet në ditët në vijim, por ajo që qarkullon më tani tek opinioni qytetar i kësaj komunë është ajo se “pushteti qenka i ëmbël dhe tërheqës si magnet” andaj edhe ndodh më lehtë tundimi i këshilltarëve, por pa përjashtuar edhe arsyet tjera që i detyrojnë këta këshilltarë për vendime të tilla për ta ndërruar firmën partiake.
Përndryshe, përbërja aktuale e Kuvendit Komunal të Kamenicës është kjo: PDK – 9 Delegatë, LDK – 8 Delegatë, AKR – 5 Delegatë, GIZ – 2 Delegatë, AAK – 1 Delegat, PD – 1 Delegat dhe VV – 1 Delegat. /2lonline/