/2L ONLINE/ – Pas bllokimit të teksteve mësimore për nxënësit e Luginës, donacion nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, pritet të ketë zhvillime të reja përveç reagimeve verbale që ishin deri më sot, por pa ndonjë efekt.
Pakënaqësinë preshevarët e kanë shprehur edhe përmes parullave që gdhinë sot Preshevën, “Dua abetaren time. Duam librin shqip”, ndërsa nuk mund të përjashtohen as protestat. Bile ka fjalë se ato mund të ndodhin nesër.
Ndonëse librat ishin nisur për Luginë, ato nuk janë lejuar nga autoritetet serb të përdoren. Rikujtojmë se dy kamionë të mbushur me më shumë se 100 mijë tekste shkollore në gjuhen shqipe, ishin bllokuar në kufirin me Preshevën.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, më 10 shtator kishte bërë të ditur se MAShT-i ka filluar bashkëpunimin me ministrin e Arsimit të Serbisë, lidhur me tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në këmbim do të lejoheshin tekste të Serbisë për në zonat ku jeton dhe shkollohet komuniteti serb.
Ministri Bajrami pati thënë se tekstet janë me kurikulë të re dhe absolutisht as nuk kanë gjuhë të urrejtjes, nuk kanë as përmbajtje ideologjike, janë tekstet të reja. Por një kërkesë e tillë s’ka gjetur mirëkuptim te pala serbe.
Përndryshe, sipas informacioneve ekzistuese e tërë Lugina është e pakënaqur me vendimin e autoriteteve serbe për moslejim të teksteve mësimore në gjuhën shqipe, për nxënësit filloristë të Luginës së Preshevës, andaj edhe mund të priten të organizohen protesta dhe një e tillë mund të ndodhë edhe nesër në Preshevë.
Por, a do të ketë apo jo protestë nesër në Preshevë, pritet të shihet, pasi megjithatë ekziston dyshimi që protesta, për nesër po “ngacmohet” nga politikanët, që të përdoret nga liderët politik për llogari të tyre, andaj edhe mund të dështojë, ndonjë protestë eventuale, por ajo mund të mbahet ndonjë ditë tjetër ku organizatori, nga sfera e arsimit apo shoqërisë civile, pritet të distancohet qartë nga profiterët politikë, por do ta bëjë të qartë qëllimin, që ka të bëjë vetëm me çështjen e librave e jo, me një mundësi, siç mund ta sheh ndonjë politikan, të shpëtimit të lëkurës së tij, sepse qytetarët e Luginës deri më tani nuk po e vlerësojnë angazhimin e deritanishëm të politikës shqiptare në përgjithësi karshi interesave të qytetarëve të Luginës në raport me shtetin serb. /2L ONLINE/