Rritet akoma numri i gjobave, referuar 24 orësh-it të fundit, që policia po i shqipton ndaj të gjithë atyre që nuk po i respektojnë masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të ndërmarra nga Qeveria.
Derisa një ditë më parë ishin shqiptuar rreth 4 mijë gjoba ndaj atyre që nuk i respektuan këto masa, në statistikat e fundit policore, për 24 orët e fundit, trendi ka shënuar rritje dhe janë regjistruar në statistikat policore mbi 4 mijë e 200 të tilla.
Sipas raportit të policisë, janë 4 mijë e 263 tiketa të shqiptuara në bazë të ligjit Covid-19, vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkohë që njësitë policore, por edhe në rroba civile dhe të ndihmuar nga inspektorët e AVUK-ut, po kryejnë kontrolle të shumta për të parë zbatueshmërinë e masave anti-covid.
A do të duhej që në fokusin kryesor të jetë vaksinimi i popullatës dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me vaksinat dhe vaksinimin?!
Do të duhej nisur nga sigurimi i bollshëm i vaksinave, decentralizimi sa më i madh i procesit të vaksinimit, shtim i pikave vaksinuese, ekipe të shumta mobile, vaksinimi i qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre, kampanja të shumta vetëdijësuese për rëndësinë e vaksinimit dhe pse jo edhe shpërblime për “dëgjueshmëri qytetare”.
Sidoqoftë, mbesim të shohim statistikat e 24 orëve të radhës, qoftë mbi statistikat për të infektuarit me virus, qoftë edhe mbi gjobat e shqiptuara, për të parë se ka po shkon tutje lakorja. /2LONLINE.com/