Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, si inicuese e mocionit kundër Qeverisë së Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të votojnë për rrëzimin e Qeverisë.
Ajo ka theksuar se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje, janë zgjedhjet e parakohshme dhe demokratike.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën në të cilën është pikë e rendit të ditës mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, ka thënë ky mocion ka për pasojë destabilizimin e vendit.
Ai ka folur për të arriturat e kësaj qeverie, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij, ka pasur rritje ekonomike. Mustafa ka thënë se është krijuar një stabilitet buxhetor.
Gjithashtu ai ka thënë se gjatë këtyre viteve të qeverisjes, Kosova është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.
Një nga të arriturat e qeverisjes së tij, Mustafa ka thënë se është edhe zgjidhja e problemit të “Trepçës” përkatësisht miratimi i Ligjit për këtë kombinat.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti përderisa po mbante fjalimin e tij në seancën për mocionin e rrëzimit të Qeverisë, i ka replikuar kryeministri Isa Mustafa i cili përgjatë fjalës së tij në Kuvend ka përmendur disa nga të arriturat e vendit të cilat janë bërë gjatë qeverisjes së tij.
Pajaziti me këtë rast ka thënë se nuk është mirë të lavdërohet puna e tij pa u përmendur edhe bashkëpunëtorët.
“Kryeministër nga ajo që unë dëgjova nuk kisha pas dëshirë që sot t’i prezantoni vetëm disa bashkëpunëtorë të tut. Do dëshiroja që ti sot të jesh përfaqësues i koalicionit, partisë tënde i qeverisë, dhe gjithë qytetarëve pa dallim. Këto mocione nuk po ndodhin për herë të parë. Shteti ynë po vazhdon të funksionojë, është mirë”, ka thënë Pajaziti.
Gjithashtu Pajziti ka thënë se qëndrimi i PDK-së do të jetë në koordinim me qytetarët e vendit.
“Këto që i përmendi kryeministri ynë janë suksese që janë arritur me angazhimin e të gjithëve, burrave dhe grave që kanë kontribuar me vite. Ky mocion është sepse në këtë vend ka ngecje, mungesë të vendeve të punës”, ka shtuar Pajziti, shkruan Indeksonline.
Pajaziti ka hedhur kritika edhe në drejtim të partive opozitare për mos koordinim me Qeverinë e Kosovës për të vendosur për çështje me rëndësi të vendit.
“PDK ka pasur përpjekje të vazhdueshme me partnerët e koalicionit që të arrihet një marrëveshje për çështje me rendësi për vendin. Nuk kemi koordinim dhe kemi pasur një vullnet të munguar, vullneti i PDK-së është unik në qëndrime, andaj deputetët të bartin vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Pajaziti.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka akuzuar kryeministrin Isa Mustafa për mënyrën e zgjedhjes se tij në krye të Qeverisë.
ryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, gjatë fjalës së tij para deputetëve ka theksuar se duke e parë disponimin në Kuvend nga sot po shkojmë në zgjedhje.
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Melihate Termkolli, ka thënë se Qeveria aktuale ka pasur të arritura të mëdha, por edhe dështime.