(2L ONLINE) – Zhvillimet politike në nivelin qendror, ku tani kemi një koalicion PDK-LDK, mund të jenë ndikuese edhe për nivele lokale. Në Gjilan këto dy subjekte politike aktualisht janë në tabore të kundërta, LDK-ja në pozitë dhe PDK-ja në opozitë, por se në skenën politike gjilanaase veç ka nis të shtrohet pyetja se, a do të kemi koalicion LDK-PDK edhe në Gjilan?!
E kësaj pyetje iu është përgjigjur Izmi Zeka, ish kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, aktualisht anëtar i Kuvendit Komunal, i cili as nuk e ka pohuar, por as nuk e ka mohuar një mundësi të tillë, por vetëm ka thënë se në politikë vlejnë shprehjet “Gjithçka është e mundshme!” dhe “Kurrë mos thuaj kurrë!”.
“Realisht çështjen e rishikimit të pozicionit tonë në Gjilan, PDK-ja nuk e ka shqyrtuar tani për tani. Ne, në parti, nuk e kemi diskutuar këtë sepse për momentin PDK-ja e Gjilanit nuk e ka në agjendë këtë çështje. Por se, ajo çfarë mund të them, në këtë rast, është fakti se në politikë vlenë shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” duke përfshirë pra mundësinë edhe të rishikimit të pozicioneve edhe këtu në Gjilan”, eshtë shprehur Zeka, për Portalin 2L ONLINE.
Ai theksoi se, tani për tani, në Kuvendin Komunal të Gjilanit ku subjekti i tij politik përfaqësohet me shtatë këshilltarë, si subjekt opozitar, do të vazhdojnë të jenë një opozitë konstruktive, por e fuqishme duke i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e qytetarëve.
Aktualisht LDK dhe AAK, edhe me disa subjekte të vogla përbëjnë koalicionin qeverisës me Gjilanit, derisa PDK e Vetëvendosje janë opozitë. Përndryshe, kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, përveç që ka përmendur në fjalorin e tij politik çështjen e riformatimit të qeverisë lokale, ka përmend po ashtu disa herë edhe se koalicioni aktual mund të rishikohet apo, siç ka thënë ai, “të ridizajnohet’. A do të ndodh kjo, mbetet të shihet, veçmas pasi të kemi një pasqyrë të qartë edhe në nivelin qendror, të ndarjes së hiseve mes vete, nga PDK e LDK. /2L ONLINE/