Ky shkrim i dedikohet gazetarit të “Koha Ditore” dhe ligjeruesit të UBT Ganimet Klaiqi i cili më 15.05.2017 u nda nga jeta duke lënë një amanet për gjeneratat që do vijnë; “Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë”, ishte porosia e fundit publike e tij pak orë para se të jepte frymën e fundit.
Ganimet Klaiqi na la një porosi; të arsimojmë brezat ashtu si duhet, ta themi fjalën e lirë dhe mendimin shkencor, pa frikë, ta themi të vërtetën ashtu si e shohim e përmes kritikës të kontribuojmë në përmirësimin e shoqërisë dhe përparimit të vendit tonë.
Mr. Zejnullah Jakupi
Të gjithë po flasin për zgjedhjet dhe po jepen prognoza se si do të jetë pas tyre? A do ndryshoj diçka për të mirë. Çfarë do bëhet me RTK-në si do ndikoj ndryshimi politik mbi rregullimin e Radio Televizionit Publik?
Përkundër premtimeve RTK akoma ka mungesë të ideve, e prurjes së kapitalit kulturor e human në strukturat e mediumit tonë publik, në një anë, dhe stër-vjetrimi i atyre të deritanishme, në anën tjetër. Udhëheqja e tanishme shumë pak dallon nga ajo që kishim deri tani(pra kemi avancim nga një gazetar normal pa ndonjë kualifikim superior deri në pozitën e drejtorit gjeneral apo zëvendësdrejtorit).
Pastaj akoma kemi mungesë të stafit menaxherial profesionist që do të udhëheq mediumin publik në suazat e ekonomisë së tregut. Po ashtu do të duhet të viheshin në funksion mekanizma meritor për ruajtjen e imazhit të institucionit, ashtu siç veprohet në bërjen dhe aplikimin e politikave me përkushtim, siç i kërkon një institucion publik dhe kujdesi që të ndërpritet fenomeni i komercializimit në këtë medium.
Dilema e parë e këtij debati ka të bëjë me modelin, gjegjësisht përcaktimin joadekuat dhe ambivalent, sa i përket organizimit të brendshëm, kontrollit dhe përbërjes së tij nga strukturat e shoqërisë civile. Ky përcaktim solli telashe, kishte qëllim të mënjanoj ndikimin politik mbi RTK-në. Bashkësia Ndërkombëtare besoi se ky rregullim, pra me ndërtimin e strukturave udhëheqëse nga shoqëria civile, nuk do të kishte politizim të mediumit.
Këshilltarët ndërkombëtar kishin nënvlerësuar potencialin politik në vend. Andaj ata u nisën nga një premisë e gabuar. Shtrohet pyetja: Pse nuk u pëlqye modeli gjerman? Si duket, dikush, nuk pati dëshirë ta instalojë këtë model në Kosovë, edhe pse ky model do ti përshtatej më shumë rrethanave shoqëroro- politike në vendin tonë. Përbërja e këtij bordi të RTK-së sipas modelit gjerman do të ishte: Qeveria do të dërgonte në Bord dy përfaqësues, parlamenti tre, subjektet politike nga një dhe grupet e interesit po ashtu nga një?
Duke mënjanuar gjoja ndikimin politik u instalua dobësia e udhëheqësve të shoqërisë civile. Ligjërisht u pamundësua implikimi politik i drejtpërdrejt i grupeve të caktuara, por në anën tjetër në mënyrë formale, politizimi ndodhi në një rrugë indirekte qe konsistonte në drejtimin e bërjes për veti të stafit udhëheqës, ndikim ky që depërtoi në heshtje edhe në strukturën programore.
Madje politizimi i përmbajtjeve gazetareske, ka orientuar dhe ka dominuar zhvillimin e diskurseve shoqëroro-politike në vendin tonë. Njëanshmëria publicistike sjell (pavarësisht në cilin krah anon) nuk përmbush nivelin e popullaritetit. Andaj me mungesën e popullaritetit ngel edhe raportimi i balancuar, ai më shumë influencohet nga diskursi politik prej nga do të ketë dominim dhe përkufizim në qasje për këndvështrime tjera shoqërore. Se a mund ta pengoj kjo zhvillimin e gazetarisë me interes publik, duke e orientuar atë kah ambiciet politike apo tek ato ekonomike dhe duke dobësuar në këtë mes ecjen vertikale karshi grupeve të interesit, mbetet të shihet më vonë.
Modeli “GEZ” dhe specifikat vendore
Përqafimi i modelit pro inkuadrimit të shoqërisë civile në bord dhe përmes saj rregullimi shoqëror i mediumit dhe ngritjes së strukturës vetë-kontrolluese u bë në mënyrë jo adekuate, marrë parasysh këtu aspektet e kulturës politike. U aplikua modeli pa u studiuar mirë mundësia e implementimit dhe specifikat vendore. Rrugëzgjidhja do të ishte aplikimi i sistemit gjerman të rregullimit ligjor dhe qasja e kontrollit politik dhe shoqëror konform sistemit të radiotelevizionit gjerman, siç ceka më lartë.
Ky model do të zvogëlonte ndikimin politik, njëheri do të pamundësonte shtrirjen e këtij ndikimi deri tek autonomia redaksionale dhe do të shërbente si instrument vet-kontrollues, i cili do të mundësonte një baraspeshim të interesave dhe do te lejonte një pjesëmarrje të baraspeshuar të të gjitha grupeve shoqërore në diskursin shoqëror, dhe drejtpërdrejt do të financohej nga publiku, siç bëhet në Gjermani përmes GEZ,-it, institucion ky i pavarur (nga shteti dhe grupet e interesit ekonomik dhe politik) i cili bënë mbledhjen e taksës për mediumin publik ARD dhe ZDF.
Me rastin e aplikimit të këtij modeli, më pas do të duhej filluar me strukturim të brendshëm. Mbledhja e taksës, kurrsesi nuk guxon të bëhet përmes KEK-ut, PTK-se etj, por përmes një GEZ-it kosovar, agjencie të pavarur. Kjo agjenci, si asnjë agjenci tjetër (duke përfshij KEK-un dhe PTK-në) nuk mund të mbledh taksa për RTK-në, nëse nuk bëhen ndryshime rrënjësore nëse nuk bëhen reforma paraprake në mediumin publik, reforma ne qasjen e tij në program, rritjen e besueshmërisë nga qytetarët, rritjen e cilësisë së programit, mënjanimin e interesave partikulare etj dhe para së gjithash reforma në udhëheqjen e tij.
Reforma do të fillonte me stafin e përgatitur menaxherial të RTK-së i cili duhet të jetë i ndarë nga struktura e udhëheqjes programore dhe asaj teknike, i pajisur me kuadro profesionale (doktor të ekonomisë, menaxher të sprovuar në ndërmarrje publike apo tregtare (qoftë edhe nga jashtë).
Pra, duhet të krijohet një hierarki vertikale e mbikëqyrjes dhe ndarjen e përgjegjësive, duke patur parasysh edhe kufizimin e qasjes së menaxhmentit në çështje redaksionale dhe anasjelltas dhe një kontroll i brendshëm i mirë-strukturuar. I njëjti kuadër, siç përmenda më lart, duhet te vlejë edhe për drejtorin gjeneral dhe zëdhënësit e tij, njeri duhet të jetë i doktoruar në fushën e medieve në gazetari, mundësisht në ndonjë universitet Evropian etj.
Dilema “Public Service”
Një problem serioz është dhe do të mbetet dilema çfarë është mediumi publik dhe çfarë ai shtetëror ose Komercial? Me ketë rast opinioni ynë deri diku ka ngelur pa e kuptuar dallimin mes këtyre dy koncepteve, por edhe vet stafi udhëheqës nuk e ka mirë të artikuluar, të definuar këtë çështje.
Si rrjedhojë e këtij keqkuptimi RTK lëshohet në “luftë” të ashpër për të fituar më shumë shikues, edhe pse ky nuk duhet të jetë synimi. Kjo luftë për “fituar” shikues, siç do të shkruante studiuesi gjerman Friedrich Krotz (2000) është e vetëkuptueshme, pasi që televizionet komerciale, duan të kenë publikun me vete për të fituar, siguruar reklamën, ndërsa, radiotelevizionet publike, duhet të bëjnë program me interes publik, nëse jo atëherë ata e humbin legjitimitetin”.
Ky rregull duhet te vlente për mediumin publik dhe jo ngarendja pas shikueshmërisë, reklamës dhe komercializimit të programit, siç është duke ndodhur në realitet, fakt të cilin e ka vërtetuar edhe KPM. Brengë e madhe shihet tutje edhe nga Komisioni Evropian moszgjidhja e mënyrës së parapagimit për RTK-në dhe një pjesë e fajit i adresohet edhe parlamentit të Kosovës.
Mos eliminimi i këtyre kundërthënieve e zbeh edhe besueshmërinë e mediumit karshi taksapagueseve. Por besueshmëria e taksapaguesve ndaj RTK-së nuk rritet kur akoma aty brenda zbatohen veset nga e kaluara.
Në këtë mesë bëjnë pjesë lidhja e kontratave në baza farefisnore, mafioze, abuzive etj, me paramendime dhe tendenca qe kur të nënshkruhen kontratat mes RTK-së dhe producentëve të pavarur të ndahet haraçi. Me ketë rast taksa e qytetarëve përfundon në xhepa e abuzuesve intrigant.
Kur do të miratohet plotësimi i ligjit të RTK-së në parlament?
Parlamenti i Kosovë e ka edhe obligimin ligjor ta miratoj projektligjin, apo ta plotësoj atë me akte tjera nënligjore. Problem serioz në këtë mes nuk është se a do e miratohet një plotësim i ligjit të RTK-së, çfarë obligime do te dalin nga plotësimi i tij, karshi punëtorëve të RTP-së ne qoftë se RTK trashëgon pronën e ish- RTP-së dhe ai i jepet RTK për menaxhim etj. Ndryshimi i Ligjit nuk është debatuar fare në opinion publik as nga profesionistët e kësaj lëmie.
Problem parësor mbetet në raste të tilla padituria e komisionit parlamentar, siç e pranoi edhe një anëtar i këtij komisioni, sepse këta që merren me ligjin në fjalë janë shumë të ngarkuar me punë dhe nuk arrijnë ti kryejnë detyrat me kohë dhe me kompetencë profesionale, kjo vlen edhe për këtë plotësim të ligjit që tashmë është gati për miratim, por askush nuk e di se për çfarë ndryshimesh është fjala. Ligji i RTK-se siç është tani ka disa avancime nga e kaluar, por akoma ka shumë zbrazëti. Pra defekti i parë ka rrjedh nga vet komisioni të cilit i mungojnë kuadro të mirëfillta pra nuk ka ose nuk ofrohen këshillëdhënës profesional.
Kuvendi i Kosovës duhet të ofrojë buxhet shtesë për inkuadrim të kuadrove profesionale në fushën e medieve, por mjaftohet duke i mbushët radhët e komisioneve parlamentare me deputet, të cilët kanë interes ti marrin edhe rrogat shtesë nga angazhimet e tyre në këto punë.
Prona dhe e Drejta e Autorit
Gjithsesi duhet të ketë gatishmëri politike, që të arrihet konsensusi shoqëror se si do të mbikëqyret RTK dhe çfarë modeli do të përqafoj. Pra nuk duhet të ngutemi me këtë punë. Dhe përfund akoma na shfaqet problemi i pronës, problem ky që u trashëgua nga themelimi i RTK-së.
Zgjidhja qëndron tek kompromisi mes RTK-së dhe ish- RTP, bartja e trashëgimisë nga RTP tek RTK dhe marrja e gjitha përgjegjësive ligjore nga kjo e fundit ndaj RTP-së, mbi një bazë të arsyeshme ligjore e me këtë të ndërtohet modeli i mirëfilltë, modeli i një mediumi publik me mbështetje nga gjitha grupet relevante të shoqërisë.
RTK emiton material arkivor nga RTP por nuk paguan asnjë centë, pra nuk e respekton të Drejtën e Autorit. Nëse e gjithë arkiva e RTP-së kalon dhe është pron e RTK-së kjo duhet të sanksionohet me ligj.
Në kuadër të mediumit publik duhet të krijohet kanali parlamentar si në Gjermani, Phoenix modalitete këto që duhet të përfshihen gjithsesi në ligjin e ri, duke u zotuar për zbatimin e të drejtave të autorit, zgjerimin dhe shkollimin e kuadrove, hapjen e korrespodentëve në qendra si New York, Bruksel, Berlin, Paris, Londër … etj, dhe investime edhe në hulumtimin e programit dhe zhvillimin e hulumtimeve empirike të programit të RTK-se, gjë që, ky medium deri tani nuk ka ndarë as 1 cent.
Nuk përkrahen as nuk motivohen autorët ose ata që shkruajnë libra shkencor dhe mbrojnë tituj shkencor në Kosovë, Shqipëri po as në Diasporë. Prandaj tash ose kurrë më parë është koha e ndryshimit!