Një operacion i Interpolit në disa shtete evropiane, me përfshirje edhe të Kosovës ka rezultuar me 78 të arrestuar me dyshimin se kanë marrë pjesë në kontrabandimin e migrantëve ilegal të kosovarëve.
Operacioni ka përfshirë Francën, Gjermaninë, Çekinë, Sllovakinë, Austrinë, Hungarinë dhe Zvicrën.
Në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 13 persona, ndërsa arrestimet kanë vazhduar edhe në data të tjera. Ndërkaq një person është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.
“Ky grup gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale për kontrabandim të migrantëve përdornin rrugët nga Kosova përmes Serbisë për në Hungari, me qëllim që nga aty të vazhdonin për në shtetet tjera evropiane. Për transportimin e viktimave ky grup përdorte vetura dhe gjithashtu shfrytëzonte edhe linjat e rregullta të autobusëve për në Serbi. Çmimi për një migrant sillej nga 1800-3500 euro, varësisht destinacionit të fundit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Komunikata më tej njofton se gjatë kërtij operacioni janë konfiskuar edhe “vetura, kompjuterë, telefona, SIM kartela, hard drives, dokumente të falsifikuara të udhëtimit, dokumente të ndryshme bankare dhe mbi 52000.00 euro”.