Gjilan – (2LONLINE) – Dashuria ndaj atletikës, natyrës, vendeve të ndryshme, ka bërë që Osman Ibrahimaj, qysh nga mosha 16 vjeçare të kishte vrapuar pothuajse në çdo cep të Kosovës, duke shijuar kështu bukuritë e rralla natyrore.
Pasioni për vrapimin, i Ibrahimajt, tani 74 vjeçar, kishte filluar në fshatin e tij Hogosht të Komunës së Kamenicës. As vet nuk e kishte menduar se për 60 vite me radhë nuk do të ndalet në asnjë moment së vrapuari. Vrapimi i tij i parë kishte filluar gjatë një dasme në fshatin e tij, shtegu kishte qenë rreth 5 kilometra, e për fituesin e këtij shtegu, si shpërblim parashihej një dele-trofe.
“Në këtë festë ishin mbledhur burrat e fshatit dhe përgatisnin të rinjtë për të vrapuar, starti ishte me pushkë të vërtet, befasisht ju bashkëngjita edhe unë këtij vrapimi dhe dola i pari, pa konkurrencë, ndërsa vrapuesi më i afërt që më përcillte, kishte mbetur rreth 500 metra prapa meje. Kështu fitova një dele si shpërblim në këtë dasmë, duke vazhduar pastaj me vrapimet në ahengjet e radhës”, kujton sot, pas 60 vitesh, atleti amator Osman Ibrahimaj.
Ai kishte fituar edhe simpati tek gjinia e bukur, duke pasur oferta serioze për tu martuar. Gjithmonë kam qenë i pari në çdo garë, interesimi për këto gara amatore ishte shumë i madh, kisha oferta nga njerëzit e fshatrave për rreth që të isha dhëndër i tyre, pasi unë në njëfarë forme isha kampion i kampionëve. “Gjatë vrapimeve të mija kam fituar 12 ka, 13 dele, rreth 70 pula, pastaj sasi të kripës, sheqerit, patateve, miellit e fasules, këto ishin shpërblime shumë të majme për atë kohë”, thotë Ibrahimaj për 2lonline.
Sipas tij, vrapimet e dikurshme kanë qenë mjaft interesante dhe kualitative, veshjet kanë qenë vetëm klinat në formë të pizhamës dhe është vrapuar zbathur. “Na ka ndodhur shumë shpesh gjatë vrapimit të ndalemi dhe ti largojmë nga këmbët ferrat, pasi vraponim nëpër ara,livadhe, e male e mund edhe të lëndoheshim”. tregon Ibrahimaj, për të shtuar se vraponin vetëm me ftesa e kishte përballje edhe me atletë jashtëzakonisht të mirë dhe të fuqishëm duke përmendur kështu Nevzat Shurdhanin e Nuredin Nuredinin, ku sipas tij gara bëhej interesante deri në fund, sepse shumë herë, gjerë në metrat e fundit nuk dihej fituesi.
“Me këto vrapime lindi dashuria dhe simpatia ndaj atletikes duke fituar edhe idolin tim. Ishin vite të vështira, vitet e 60-ta ku mungonte shumë çka, e mua më tërhiqte vrapimi, atletika, dhe idol i imi u bë atleti i famshëm botëror nga Çekosllovakia. Emil Zatopek. Ai për mua ishte atleti më i mirë i të gjitha kohërave, atë e kanë quajtur “Lokomotiva e Çekosllovakisë””, shprehet Ibrahimaj.
Për Ibrahimajn, atletika është vet jeta e njeriut. “Të jep forcë dhe të qetëson. Atletika është ushqimi kryesor i trupit të njeriut. Për ata që vrapojnë, mjeku nuk ka vend, barnat e njeriut janë atletika, aromat e fushës, shtazët dhe shpezët që jetojnë në natyrë. Të gjitha këto atleti i përjeton me zemër”.
E, 74 vjeçari Osman Ibrahimaj edhe sot për çdo ditë vrapon dhe thotë se nuk e ndalin as kushtet klimatike, por zgjohet në ora 5 të mëngjesit dhe fillon një ditë të lumtur duke e nisur me vrapim.
Edhe pse në moshë të shtyrë, edhe sot duket vital duke shpresuar se edhe për një kohë të gjatë shtigjet e atletikës do të rrahën nga këmbët e tija.
“Nuk do të ndalem për asnjë moment. atletika është zemra ime dhe forca ime, ajo më ka pushtuar, ndërsa unë nuk po mundem ta pushtoj, ajo është e pafundshme” thotë Ibrahimaj. /2lonline/