7 Marsi është një nga ditët më të rëndësishme në historinë e arsimit shqip dhe historinë e popullit shqiptar, brenda se cilës gjejmë përpjekjen shumëshekullore të veprimtarëve dhe intelektualëve tanë për të shkruar dhe ruajtur gjuhën shqipe, që nga Gjon Buzuku, Pjetër Budi e Bogdani, e për të vazhduar hovshëm me aktivitetet e rilindësve, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm, për të bërë alfabetin e shqipes, për ta pasuruar gjuhën shqipe dhe gjallëruar kudo atë.
Shkruan: Shpresa Kurteshi – Emini
Pavarësisht se sfidoheshin e kërcënoheshin vazhdimisht nga pushteti i atëhershëm, ata nuk pushuan deri në jetësimin e qëllimit të tyre e që ishte një: çlirimi nga sundimi shumëshekullor osman, bërja e shkollave shqipe, bërja e shtetit shqiptar dhe përmirësimi i jetës shoqërore në çdo aspekt.
7 Marsi i vitit 1887 shënon një nga realizimet më të rëndësishme të objektivave të intelektualëve të asaj kohe, me aktin e hapjes se mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Shqipëria nisi një etapë të re në jetën institucionale arsimore e kulturore për gjitha trojet shqiptare.
Vuri gurëthemelin e dijes, për mos t`u lëkundur më kurrë, por për t`u ndërtuar ky institucion pastaj deri te nivelet më të larta.
Njeriu i cili i qëndroi gjithmonë besnik dhe i shërbeu këtij tempulli të dijes, u quajt mësues, prandaj krejt këtë histori, shpeshherë e emërtojmë si “Dita e Mësuesit”
Edhe në historinë më të re të popullit shqiptar në Kosovë, mësimdhënësit kanë qenë një nga akterët kryesorë në luftën e kauzën tonë për liri, krahas luftës së armatosur e paqësore të këtij vendi.
Ata kanë përdorë një nga armët më të forta, për të mos lejuar mbylljen e shkollave shqipe, në forma të ndryshme, edhe përmes ilegales, duke e mbajtur të gjallë e në shërbim të popullit atë, për çka ne si gjenerata të reja u jemi mirënjohës dhe falënderues gjithmonë veprës së tyre njerëzore e atdhetare, e që me të drejtë u referohemi si heronj të gjuhës e të kombit tonë.
Edhe sot, ata qëndrojnë të angazhuar, të pamposhtur krahas sfidave të natyrave të ndryshme me të cilat përballen institucionet tona, të cilat janë themeluar në saje të angazhimit pikërisht të intelektualëve tanë të cilët janë nxjerrë si produkte mësonjëtoreve tona, gjithmonë kanë qenë në shërbime dhe do të vazhdojnë të jenë me të gjitha kapacitetet, për t’i forcuar ditë e më shumë aspektet e mësidhënies e mësimnxënies.
Komuna jonë, këtyre ditëve ka organizuar aktivitete të ndryshme për të shënuar edhe 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ditë që shënon dhe mban një histori në vete dhe një përpjekje tjetër me rëndësi për të drejtën njerëzore përgjithësisht.
Me këtë rast, dua t`ju shpreh grave dhe vajzave mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe angazhimin e palodhshëm të tyre që të qëndrojnë të pamposhtura në rolin si nëna, si bashkëshorte e mësimdhënëse shembull, njëkohësisht.
Mbase, Viktor Hygo, më së miri e përshkruan rolin e nënës dhe mësimdhënësit në një nga thëniet e tij prej të shumtave që ka: “Nëna dhe mësuesi janë dy deputetët më të mirë të një populli”.
Kështu, duke qenë nëna dhe mësuese njëkohësisht, ato kanë në dorë shumëçka, kanë në dorë të ardhmen e një populli, prandaj kanë për obligim që këtë të ardhme ta ndërtojnë ashtu siç dinë vetë ato, të fortë e të sigurt për të gjithë.