“Nga të dhënat e sapo publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, del se Komuna e Gjilanit, nga 55 mostra për testim që ishin nga Komuna e Gjilanit, të gjitha rezultuan me rezultat negativ. Praktikisht, ne po e përballojmë një vatër të plotë prej 55 rasteve të mundshme. Tani më situata është nën kontrollë të plotë, ku janë kontaktuar e marrë mostrat sipas kontakteve të kontakteve me COVID19, ku fatmirësisht, të gjitha rezultuan si negative”.
Kështu ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, sipas të cilit edhe 4 rastet e mbrëmshme, kanë qenë raste të pritura, pasi që janë raste të listës A të kontaktit të ngushtë familjarë.
Ismajli tha se pavarësisht kësaj, po punohet që ky rreth të jetë nën kontroll të plotë, duke u përkujdesur për ta, dhe, duke mos lënë që të kem raste të reja, jashtë rasteve të kontakteve, të cilat në një formë janë raste të pritura, mirëpo, fatmirësisht, rezultuan si negative.
Nënkryetari Ismajli ka bërë me dije se nga 51 raste totale në Komunën e Gjilanit, të shëruar janë 18 raste, në hospitalizim janë 9 raste dhe në vetë-izolim janë 22 raste, ndërsa, fatkeqësisht, kemi 2 raste vdekje nga komuna jonë. Ne, familjes së tij, dhe, të gjithë atyre që e njohën, iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta, duke u lutur, që ky rast të jetë rasti i fundit në përballje me këtë pandemi.
“Ju lutemi, vazhdoni të jeni stoik edhe pak ditë, respektoni rregullat, bëhuni parimorë ndaj vetvetes dhe familjes suaj. Mos dilni pa nevojë, ruajeni shëndetin e juaj. Shtoni higjienën familjare. Kjo është mënyra më e sigurt për ta parandaluar këtë virus i cili po ndërton ura përhapjeje nëpër botë”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.