Vetëm lehja e qenve, kokorisja e pulave dhe pëllitja e bagëtisë, të cilat po pakoheshin përditë, bënin që fshati të mos dukej i vdekur.
Në fakt, aty bënin jetë edhe të tjera gjallesa, karpatiane: vetëm pakë shtëpi kolonësh serbo-malazezë, të shoqëruar nga bandat paramilitare, ushtarake e policore serbe, që u bënin strehë dhe po i mbanin pranë, jo vetëm për sigurinë e tyre, por për t’i plaçkitur e djegur shtëpitë e fqinjëve të tyre shqiptarë.
Nga: Shefik SURDULLI
Ata madje po sorollateshin aty edhe për një gjë tjetër, sepse, gjatë dëbimit me dhunë të banorëve shqiptarë nga fshati, ata e kishin hetuar se jo të gjithë burrat i kishin futur në kolonën e vdekjes. Pra, këto banda famëkeqe serbe tashmë po e kuptonin se megjithate dikush nga djemt e burrat shqiptar të Verbicës, ishin këndej pari. Po! Ne ishim aty, në tokën që na e lanë amanet të parët, pak përtej fshatit në mal, të armatosur dhe nën betimin ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i dalë zot këtij vendi.
Mbase pikërisht kjo, për shkak të sigurisë së tyre dhe familjeve serbe e malezeze të fshatit (rrezikun e pandehur nga njësiti I UÇK-së të këtij fshati) i kishte shtyrë forcat serbe të sigurisë, që ti kthenin banorët e Verbicës prapa në fshat, ndonëse i djegur e i plaçkitur, pas 8 ditë qëndrimi në Pozhoran të Vitisë, ku ishin ndalur në rrugëtimin e tyre të tmerrshëm pa udhë, të frikësuar, të plaçkitur, të lodhur e të terrorizuar, prej momentit të dëbimit të tyre të dhunshëm, më 17 prill të ’99-tës.
Forcat serbe, të ndihmuara edhe nga fqinjët tanë serbo-malazez, do të kishin në mendje edhe planin tjetër: shmangjen e rrezikut nga njësiti jonë, me kapjen dhe asgjësimin eventual të tij.
Strategjia e forcave serbe nuk u realizua. Banorët shqiptarë të kthyer, ndonëse prap me frikën e me “veshët në krah”, të dëbimit të sërishëm apo të ndonjë masakre eventuale, ata, nën rrënojat e shtëpive të djegura, rifiluan jetën, u ringritën përsëri. Zjarri u ndez dhe oxhaqet tymuan për tu mos u fikur kurrë më!
Kthimi i banorëve shqiptarë të Verbicës, për ne qe një gëzim i madh, ngase me ta ishim përshëndetur për herë të fundit, për të mos i takuar më kurrë.
Po ja që u takuam, mbijetuam kokëlartë e me nder duke ndërtuar jetën e re në paçe e në liri.
Për ta kujtuar këtë ditë, një rrugë e fshatit mbanë këtë emër: “25 Prill ’99 – Dita e kthimit”.