Këtë të shtune, më 24 qershor, ora 12:00, pikërisht në ditëvdekjen e shkrimtarit gjilanas Beqir Musliut, në Grykën e Karadakut, përkatësisht në ambientet e SHMU “Bajram Curri” të Shurdhanit, si qendër e lokalitetit të trekëndëshit kufitar Kosovë – Serbi – Maqedoni, mbahet edicioni i shtatë me radhë i Manifestimit rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”.
Manifestimi i këtij viti, i cili u shty për dy javë, shkaku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale në Kosovë, si manifestim që nderon Ditën e lirisë për Kosovën – 12 Qershorin, kësaj here pjesë tematike ka figurën e kryetrimit të Karadakut, Idriz Seferit, në 170 vjetorin e lindjes dhe 90 vjetorin e vdekjes, i shpallur ndryshe edhe si “Viti i Idriz Seferit” nga Komuna e Gjilanit.
Me trajtesa rreth kësaj teme do të paraqiten kritikët letrarë, Sinan Sadiku e Arsim Halili.
Më pas, do të mbahet edhe Ora poetike e titulluar nga fillimi i këtij Manifestimi, “koha e poezisë”, ku pritet të lexojnë poetë nga komunat e kësaj hapësire të trekëndëshit kufitar, Gjilani, Kumanova e Presheva, po, edhe më gjerë, nga hapësira tjetër shqiptare, si edhe viteve tjera.
Manifestimi rajonal i poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, nga fillimi ka pasur për qëllim pikëtakimin, njohjen dhe afirmimin e poetëve dhe të vlerave letrare artistike që krijojnë, pikërisht në një trekëndësh kufitar ku, historikisht kanë vringëlluar armët.
Në vitin e shtatë të këtij Manifestimi, poetët, të cilët do marrin pjesë nga vullneti i mirë i tyre dhe, për hir të fjalës së bukur artistike, do përçojnë mesazhe paqeje e afrie mes popujve.
Pas përmbylljes së”Trekëndëshit poetik të paqes”, i cili mbështetet pjesërisht nga MKRS – Departamenti i Kulturës dhe Komuna e Gjilanit, poetët dhe artdashësit do të zhvendosen në sallën e KK të Gjilanit, ku pasditen e së njëjtës ditë, do të organizohet ceremonia e dhënies së Çmimit letrar “Beqir Musliu” ku, fitues i sivjetmë është shkrimtari nga Begunca e Vitisë, Ramadan Musliu.