Më 30 dhjetor, të vitit, që e lamë prapa, dy ditë para ndërrimit të motmotit, solemnisht në Gjilan, u hap zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës.
Ky qe një lajm i gëzuar, një nga dëshirat më të dashura të fundvitit, për banorët e dëbuar të Luginës së Preshevës, në Gjilan dhe për ata, që kanë ngelur të jetojnë në viset etnike të kësaj Lugine, të administruar nga Serbia.
“Kjo zyrë do të jetë një dritare ose një adresë për qytetarët që jetojnë këndej në Kosovë, njëkohësisht edhe ata që jetojnë në Kosovën Lindore. Zyra do të jetë një urë lidhëse e cila do ta lehtësojë jetën në këtë pjesë të Kosovës”, u tha mes tjerash gjatë ceremonialit të hapjes zyrtare të zyrës për Luginën e Preshevës, në Gjilan.
Më 8 prill mbushen 100 ditë nga hapja e kësaj zyre, e cila, mjerisht, më shumë ka qëndruar mbyllur se sa hapur. A është lehtësuar, apo vështirësuar edhe më shumë jeta e banorëve të dëbuar shqiptarë nga Lugina e Preshevës, në Gjilan, flasin këto të dhëna aspak të dëshiruara për opinionin tonë?!
Qytetarë pa identitet
Fëmijët e këtyre banorëve hallexhinj, të cilët mbarojnë shkollimin e mesëm në Gjilan, nuk mund të regjistrohen nëpër Universitetet e Kosovës, ngase u mungojnë dokumentet e identitetit, të cilat nuk mund t’i nxjerrin as në Kosovë e as në Serbi. Ata në Kosovë trajtohen si refugjatë e në Serbi, shlyhen fare nga evidence, duke mbetur pa adresë të vendbanimit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, në mënyrë arbitrare qytetarëve shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, po ua mohon të drejtën ekzistuese të vendbanimit. Me pasivizimin e vendbanimit të qytetarëve të këtij rajoni i mohohen edhe të drejtat tjera elementare, siç është edhe e drejta për të votuar e drejta e pensionit e ndihmave sociale e shërbimeve mjekësore etj.
Thënë shkurt e shqip, aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, në Kosovë, janë qytetarë pa identitet. Ata kanë mbetur as me Prishtinë e as me Barilevë!
Personeli i zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në Gjilan, është zgjedhur pa konkurs e pa kritere. Nëse kjo zyre është hapur për t’i identifikuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, ajo duhet të udhëhiqet nga një staf profesional, gjithëpërfshirës dhe pa ngjyrime politike.
Kundërthënia e interesave
Në Gjilan nuk jetojnë vetëm shqiptarët e dëbuar nga Malësia e Bujanocit, por edhe nga Karadaku i Preshevës dhe Medvegja. Po u bë verifikimi i figurave udhëheqëse të zyrës, del se ata janë persona të punësuar dhe me origjinë familjare, krahinore e partiake. Bile në mesin e tyre ka edhe të atillë, që punojnë në institucionet e Serbisë (Bujanoc, këshilltar i Këshillit Komunal), pra në dy institucione, të dy shteteve, të cilat nuk e njohin njëra tjetrën.
Lëvizja “Vatra”, sa do që tregon një aktivitet për respekt, ajo nuk mund të thirret në emër të të gjithë qytetarëve të dëbuar nga Malësia e Bujanocit, meqë e ka humbur kuptimin e të qenit shoqëri civile, duke u kthyer në një subjekt politik, i cili në zgjedhjet e fundit mezi arriti të sigurojë 1 këshilltar, nga 35 sish sa ka në përbërjen e tij Parlamenti lokal i Gjilanit. E kur t’i shtojmë këtyre të dhënave edhe dëshmitë e ekzistimit të Lëvizjeve të tjera politike nga Lugina në Kosovë, del se zyra e Gjilanit, duhet të “ristartohet” për të mos u sjell në rreth të mbyllur!
Qarkullim në rreth të mbyllur
Po qe se kështu vazhdohet, zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në Gjilan, do t’i numëroj edhe qind ditësh të tjerë, pa rezultate konkrete, duke manipuluar me qytetarët shqiptarë këndej e matanë kufirit me Kosovën.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, e cila e ka përshëndetur hapjen e zyrës së Luginës në Gjilan, kërkon nga autoritetet e këtyre komunave ndërkufitare, të merren më seriozisht me hallet dhe problemet e banorëve të dëbuar për t’ua lehtësuar problemet e shumta me të cilat po përballen për ditë, si në sigurimin e dokumenteve të identifikimit, integrimit, dhe qarkullimit të lirë.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, kërkon në radhë të parë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, i cili edhe konsiderohet kumbara i Rezolutës për hapjen e zyrës për shqiptarët e Luginës së Preshevës në Kosovë, të afirmoj dhe promovoj misionin e kësaj zyre, duke bashkëpunuar me drejtuesit e saj, në realizimin e kërkesave të qytetarëve në rregullimin e dyshtetësisë, integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Këta qytetarë të shumtë me origjinë nga Lugina e Preshevës, të cilëve u buzëqeshi fati i hidhur, të kërkojnë strehim në Gjilan dhe rrethinë, të integrohen si u ka hije në këtë komunë, ose të gjenden mekanizma për kthimin e tyre nga kanë ardhur. Tjetër alternativë nuk ka! Ata, thjesht, nuk llogariten as qytetarë të Gjilanit e as qytetarë të Bujanocit dhe Preshevës, meqë u mungojnë dokumentet e identifikimit. Thënë më ndryshe, në mënyrë figurative, ata nuk janë “as mish as peshk!”
Porosia
Shoqëria Civile “Perspektiva”, kërkon nga autoritetet e Komunës së Bujanocit dhe ndërkombëtarët, të merren më seriozisht rreth pasivizimit të vendbanimeve shqiptare, të cilat u zbrazën dhunshëm prej qytetarëve të saj gjatë vitit 1999, e mos të tallen me ndjenjat e tyre për hesape politike e komerciale.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc
/foto me rastin e hapjes së Zyres/
http://titulli.com/index.php?m=post&s=11279