Në Ditën Botërore të Shëndetit flitet për depresionin dhe trajtimin e tij

Në Ditën Botërore të Shëndetit flitet për depresionin dhe trajtimin e tij

Me moton: “Depresioni, të flasim”, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit 2017, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u mbajt sot një tryezë profesionale, në të cilën zyrtarë të lartë shëndetësor dhe profesionistë të fushës së shëndetit mendor është folur për depresionin si problem shëndetësor e social, sfidat e trajtimit dhe qasjet ndaj kësaj sëmundje.

Tryeza është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Zyra në Prishtinë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se është evidente se Kosova, me ndihmën edhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka bërë hapa pozitiv në fushën e reformës së shëndetit mendor, fakt ky që është potencuar edhe në raportet e kësaj organizate, duke i shtrirë shërbimet prej një sistemi të bazuar në trajtimin spitalor, në shërbime të shëndetit mendor të bazuar në komunitet, për t’i ndihmuar kështu pacientët që të jenë sa më afër komunitetit dhe të kenë më shumë gjasa për t’u integruar.

“Fatkeqësisht, të dhënat në nivel global, e rrjedhimisht kështu duhet të jetë edhe tek ne në Kosovë, flasin për rritje të konsiderueshme të njerëzve të prekur nga depresioni dhe kjo çështje duhet të na bëjë edhe më të vëmendshëm që të rrisim angazhimin tonë si institucione dhe si profesionistë që tek qytetari ynë të përcjellim mesazhin e rëndësishëm apo gatishmërinë për mbështetje personave të prekur nga depresioni që nga familja për të vazhduar me ndihmën profesionale nga profesionistët shëndetësor në institucionet shëndetësore dhe në ato në komunitet.

Duke potencuar faktin se financimi i shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë ka qenë i ulët ndër vite dhe përmirësime të ndjeshme mund të prekim vetëm pas fillimit të sigurimit shëndetësor. Ministri Rrahmani tha se përmirësimi i financimit do ta kishte rëndësinë e vet në dy dimensione: “

Në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të qytetarëve që është edhe një nga objektivat kryesore strategjike të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021 dhe; në parandalimin e humbjeve ekonomikë të sistemit tonë shëndetësor si pasojë e uljes së produktivitetit në punë dhe shpenzimeve të mëdha për trajtimin e të prekurve nga depresioni…”.

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e Zyrës së OBSh-së në Kosovë, tha se Dita Botërore e Shëndetit këtë vit (2017) fokusohet në depresionin – që është shkaktari – kontribuesi i dytë më i madh ne shkaktimin e pa aftësisë apo dëmtimin e shëndetit, dhe një nga shkaktarët kryesor për rreth 128.000 vdekje nga vetëvrasja që ndodhin çdo vit në Rajonin Evropian të OBSh-së. Numri i personave me çrregullime depresive në Rajon arrin në 40 milionë, me prevalencë në shtete me variacion nga 3.8% në 6.3% të popullatës së përgjithshme, sipas vlerësimeve të fundit të publikuara nga OBSh mbi shëndetin global për vitin 2015.

Ajo tha se parandalimi dhe trajtimi më efikas i depresionit, i kombinuar me ndërgjegjësim për sëmundjen janë tejet të rëndësishme, në drejtim të mbulimit shëndetësor dhe integrimit shoqëror. “Përpjekjet e tilla do t’i ndihmojnë shtetet për të arritur synimin 3.4 të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030, zvogëlimin deri në një të tretën te vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo-ngjitëse përmes parandalimit, trajtimit dhe promovimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies”, tha dr. Tahirukaj duke shtuar se OBSh ne Kosove që nga vitin 1999 ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e politikave bashkëkohore për shërbimet e shëndetit mendor me baze ne komunitet, ngritje të infrastrukturës fizike, ngritje te kapaciteteve profesionale bazuar në praktikat më të mira

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se depresioni është një barrë e rëndë për shëndetin publik në përgjithësi, me që përfshin numër të madh të njerëzve të ndikuar nga depresioni si dhe të tjerët që janë ndikuar në mënyrë të tërthortë, qoftë anëtarët familjes, pjesëtarët e shoqërisë civile. Duke vlerësuar se depresioni mund të identifikohet herët nga profesionistët shëndetësor, për këtë arsye politikat dhe aktivitetet promovuese në nivel lokal dhe nacional janë shumë të rëndësishme për promovimin e masave parandaluese, menaxhimin dhe trajtimin e depresionit.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, tha se, sa u përket shërbimeve shëndetësore për njerëzit e prekur nga depresioni dhe në nevojë, dr. Gjocaj tha se SHSKUK ka përkrahur dhe përkrah shërbimet komunitare përmes qendrave të shëndetit mendor me një infrastrukturë bashkëkohore në to dhe staf multidiciplinar në të gjitha rajonet në vend e po ashtu edhe në repartet psikiatrike dhe Klinikën Psikiatrike me një numër solid të profesionistëve të gatshëm për ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor.

Një prezantim të natyrës profesionale rreth çrregullimeve të depresionit , shkaqeve, sfidave të menaxhimit dhe hapave parandalues e prezantoi neuropsikiatri Bujar Berisha nga Klinika e Psikiatrisë (QKUK), ndërkohë që profesionistë të tjerë nga qendrat e shëndetit mendor dhe institucione të tjera, diskutuan për këtë temë, duke dhënë edhe ide dhe rekomandime për përmirësimin e qasjes ndaj kësaj problematike shëndetësore e sociale.

Një prej tyre u tha të jetë edhe fuqizimi i konceptit të mjekësisë familjare, qasja pa paragjykimi, terapi më gjithëpërfshirëse për të prekurit dhe qasje multi-disiplinare në menaxhimin dhe trajtimin e depresionit.

KOMENTE