Intelektualë gjermanë vizituan Ministrinë e Diasporës

Intelektualë gjermanë vizituan Ministrinë e Diasporës

Sot, ministri i Diasporës, Valon Murati, me bashkëpunëtorë priti një delegacion të komunitetit gjerman, i cili përbëhej nga intelektualë të fushave të ndryshme. Ky delegacion shoqërohej nga mësuesja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani, Shqipe Gara Berisha.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte njohja e Kosovës, por edhe shkëmbimi i kulturave, i përvojave mes bashkatdhetarëve tanë në diasporë dhe vendit pritës, në këtë rast popullit gjerman.

Në këtë takim u bisedua për shumë çështje që prekin komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe për historinë e Kosovës, për mundësitë që të rritet bashkëpunimi, veçanërisht për rolin e diasporës mes vendit tonë dhe shtetit gjerman.

Ministri Murati me të pranishmit bisedoi për potencialet e mëdha që ka diaspora jonë në këtë shtet, por edhe për mundësitë që vetë gjermanët, përmes ekspertizës, po edhe bashkëpunimit me njerëzit e diasporës sonë, të jenë pjesë e projekteve në Kosovë.

Në fund të takimit, mësuesja Shqipe Gara Berisha tha se imazhi që ka krijuar diaspora shqiptare, ka ndikuar që këta njerëz të shprehin dëshirë ta njohin nga afër Kosovën dhe historinë e saj.

Ajo falënderoi ministrin Murati, përkatësisht Ministrinë e Diasporës për mbështetjen që i jep diasporës.

KOMENTE