Zv/ministrja Krasniqi iu bën thirrje bizneseve t’i vendosin flamujt që tregojnë origjinën e mallit

Zv/ministrja Krasniqi iu bën thirrje bizneseve t’i vendosin flamujt që tregojnë origjinën e mallit

Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, bashkë me kryeinspektorin e MTI-së, Lulzim Syla kanë vizituar disa markete për të parë nga afër zbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve që tregon origjinën e mallit.

Zëvendësministrja Krasniqi theksoi se qëllimi i këtyre vizitave është sensibilizimi i bizneseve që ta zbatojnë udhëzimin administrativ dhe të fillojnë me vendosjen e flamujve. Ajo u shpreh se qytetarët e kanë pritur shumë mirë vendosjen e flamujve që tregojnë origjinën e mallit.

“Ne sot vizituam disa markete në Prishtinë. Arsyeja e vizitës është vendosja e flamujve, që është përcaktuar me udhëzim administrativ të MTI-së, i cili ka hyrë në fuqi më 29 dhjetor të vitit 2018, që i obligon të gjithë operatorët ekonomikë ta zbatojnë. Inspektuam sot dhe pamë se edhe vetë qytetarët kryesisht bizneset janë të interesuar ta zbatojnë këtë udhëzim. Ne e dimë se moszbatimi i udhëzimit administrativ është shkelje ligjore ku parashihen edhe dënimet”, tha Krasniqi.

Zëvendësministrja tregoi edhe benifitet që ka ky udhëzim administrativ për qytetarët. Ajo theksoi se konsumatorët do të kenë lehtësim gjatë blerjes së produkteve që u nevojiten në përditshmëri. Më tej, ajo shtoi se interesimi i MTI-së për të monitoruar dhe inspektuar ecurinë e tij është i madh.

“Inspektori po e bën punën e vet dhe do të vazhdojë edhe më tutje, e që konsideroj se kjo çështje do të ndikojë pozitivisht në rregullimin e tregut në Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht do ta bëjë më shpejt të kuptueshme dhe më të saktë se çka po blejnë konsumatorët. Ky është edhe qëllimi i vendosjes së flamujve, kjo vlen për të gjitha bizneset nuk ka ndasi”, tha Krasniqi.

Kujtojmë se udhëzimi administrativ ka hyrë në fuqi më 29 dhjetor të vitit 2018, ku i obligon të gjithë shitësit që në anën e majtë të çmimit ta vendosin edhe flamurin e atij shteti se nga importohet produkte për ta treguar origjinën e mallit.

KOMENTE