/2L ONLINE/ – Konferencën për media të thirrur sot, nga drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, e ka shfrytëzuar për informimin e qytetarëve, lidhur me projektet të cilat janë duke u realizuar, ato që janë në proces dhe për punën e cila po bëhet në thithjen e investimeve të reja nga investitorë, organizata dhe qeveri të ndryshme të shteteve mike të Kosovës dhe Gjilanit.
Në fjalën e tij, drejtorit Zuzaku ka thënë që fokus kryesor i resorit të tij dhe i politikave qeverisëse të kryetarit Lutfi Haziri, janë projektet kapitale, bashkëpunimi me donatorë, sjellja e sa më shumë investimeve të huaja në Gjilan dhe ndikimi në politikën e cila është mbështetëse e bizneseve të Gjilanit.
“Jemi të vendosur fuqishëm që me studim të mirëfillt të prioriteteve dhe politikave qeverisëse të ndërmarrim hapa konkret dhe afatgjatë në projektet kapitale të Gjilanit. Kështu, në këtë formë po punojmë përmes Partneritetit Publiko Privat (PPP) dhe sot e kemi pothuajse kah fundi fazën e parë të kompleksit të shkollave të mesme. Gjithashtu, është realizuar studimi i fizibilitetit për sallën e sporteve “Bashkim Selishta”, dhe shumë shpejtë do të dërgohet në komitetin për PPP, për aprovim. Po punojmë edhe për studimin e fizibilitetit te shkolla e bujqësisë dhe për çerdhen në ish-hapësirën e “Magjistrales”, dhe krahas kësaj po krijohen kushte të volitshme për zhvillim ekonomik së bashku me pratneritetin e sektorit privat, për infrastrukturë publike dhe vende të reja të punës”, ka thënë drejtori Zuzaku.
Drejtori i DZHE-së, poashtu ka konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që Gjilani e ka me donatorët e huaj, sikur që ka spikatur edhe rezultatet konkrete të prekshme për qytetarin të arritur pikërisht nga investimi i këtyre shteteve mike të Gjilanit.
“Kemi marrë aprovimin nga CDF për projektin e USAID-it, lidhur me hartimin e strategjisë lokale për zhvillim socio-ekonomik. Pastaj fuqizimi socio-ekonomik i të rinjve përmes bashkëpunimit nga MAPL dhe OJQ BMTC, që për qëllim ka hulumtimin e ofertës dhe kërkesës së tregut të punës që do të realizohet së bashku me Universitetin “Kadri Zeka”. Indikator shumë i mirë për këtë fazë është numri i bizneseve të reja që është përditë e në rritje (47 biznese të regjistruara më shumë se në periudhën e njejt të vitit 2016) me rreth 100 punëtorë më shumë të deklaruar për këtë periudhë në krahasim me kohën e njëjtë të vitit paraprak”, ka spikatur ai para gazetarëve.
“Bashkëpunim tjetër dhe me shumë rëndësi është edhe ai me organizatën “Help”, që përfitues janë 46 biznese që kanë përfituar grante mesatare në vlerë prej dy mijë euro dhe po tentojmë që këtë ta vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm. Ofrimi i trajnimeve për të zhvilluar veprimtarinë biznesore për ndërmarrësit e rinjë në Inkubatorin e Biznesit, përmes programit të Bankës Botërore së bashku me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Qendrën Rinore, dhe gjithashtu edhe projekti tjetër i financuar nga “TIKA”, për përgatitjen profesionale të rrobaqepësve të rinjë në bashkëpunim me shoqatën “Gilan”, ka njoftuar drejtori Zuzaku.
Nga kodi komunal për participim me donatorët, Zuzaku theksoi se Komuna e Gjilanit po punon aktualisht në tri projekte përmes partnerit strategjik dhe investitorit USAID, që është ndërtimi i çerdhes në lagjen “Dardania”, asfaltimi i rrugës në fshatin Livoç (projekt i përfunduar tashmë) dhe ndërtimi i aneksit të shkollës në fshatin Ponesh.
Ai ka potencuar se nga ky kod, është duke u realizuar edhe lumi “Mirusha” nga qendra e qytetit deri në rrugën “Rexhep Dajkoci”.
“Pos lumit Mirusha, po presim fillimin e procedurave për rehabilitimin e ujërave të zeza dhe rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha”, investimin e lumit “Stanishorka” nga kredia e butë e marrë nga qeveria e Austrisë, duke përfshirë në vete investimet detaje në ujërat e zeza dhe rregullim të këtyre lumenjve të përmendur”, tha, ndër të tjerash, në përmbyllje të conferences, drejtori Agim Zuzaku. /2L ONLINE/