DYLON

Zotohen për FairPlay, anim korrekt dhe atmosferë impozante!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në Gjilan, e diela pritet të jetë ditë e veçantë ku do të kemi atmosferë sportive për shkak të derbit të madh në futboll mes skuadrave rivale KF Gjilani- KF Drita. E, për atë se pritet të kemi lojë FairPlay, anim korrekt e atmosferë impozante për këtë janë zotuar përfaqësuesit e këtyre dy klubeve si dhe përfaqësuesit e ultras tifozerisë të këtyre dy ekipeve gjilanase.

Bile, një zotim të tillë ata e kanë bërë para drejtuesve të Policisë së Gjilanit e cila i kishte ftuar ata për të kërkuar bashkëpunimin e tyre që e diela, të vije e të kalojë, nën atmosferën sportive të një derbi të tillë mes dy rivalëve nga i njëjti qytet, pa u cenuar rendi dhe qetësia publike.

EkoHigjiena

Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, major Remzi Azemi, bëri të ditur për Portalin 2L ONLINE, se i ka ftuar përfaqësuesit e klubeve dhe të tifozerisë për t’ia bërë me dije se ata mund të ofrojnë një të diele festive si i ka hije një derbi të madh në futboll, por se assesi nuk do të lejohet të ketë prishje të rendit dhe qetësisë publike. Policia do t’i ofrojë të gjitha shërbimet në aspektin e sigurisë, por kërkon bashkëpunim nga të dyja palët, ka thënë ai.

Major Azemi ka takuar Burhan Rashitin, drejtorin e klubit Drita, Fitim Limanin përfaqësuesin e “Intelektualëve”, si dhe Bekim Rexhepin, kryetarin e KF Gjilani si dhe Valon Selimin, përfaqësuesin e tifozerisë “Skifterat”, të cilëve u ka treguar se policia ka plan operativë për ditën e diel, i ka ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar siguri dhe ka kërkuar nga dy grupet e tifozerisë të anojnë për skuadrën e tyre me zemër dhe të bëjmë që në Gjilan të ketë një të diele me atmosferë sportive, duke e respektuar ligjin.

Përfaqësuesit e që të dyja klubeve si dhe tifozerive kanë premtuar se e diela do të jetë festë sportive ku do të ofrohet spektakël i madh dhe se do të japin kontributin e tyre që të ketë vetëm sport e asgjë tjetër, në këtë derbi, që me të drejtë i tejkalon përmasat e një derbi kosovar.

Majori Remzi Azemi nga ana e tij i ka njoftuar klubet se nuk do të lejohet kësaj here të ketë marshime të tifozëve rrugëve të qytetit, ashtu siç kishte ndodhur herën e kaluar, por në vend të kësaj, tifozët do t‘i kenë vendet e caktuar ku do të mund të grumbullohen dhe nga aty të nisen në stadium, e kur jemi te stadiumi policia tha se nuk do të ketë tolerancë dhe nuk do të lejojë assesi mjete piroteknike as mjete të ngurta (shishe, kanaqe…) brenda në stadion.

Për të pas mbarëvajtje në këtë derbi të madh, major Azemi tha se policia është përkujdesur që të ketë personel të mjaftueshëm, kontrollet për të hyrë në stadium do të jenë të rrepta, ndërsa prishësit eventual të rendit do të ndiqen sipas ligjit, duke mos përjashtuar faktin që të tillëve, përveç tjerash, do t’ua ndalohet, në të ardhmen, edhe hyrja në stadium.

Policia do të ketë në disponim edhe aparate e kamera për evidentimin e këtyre gjërave negative. Andaj, major Azemi ftoi të gjithë që të angazhohen për të pasur atmosferë festive, secili të anojë për skuadrën e tij, por pa prishur rendin dhe qetësinë e qytetarëve tjerë. “Secili mund ta dojë klubin e tij dhe të anon për të, por duhet ta bëjnë këtë me zemër. Në të kundërtën, i bëjnë keq vetes, por edhe klubit të tyre të zemrës”, ka qenë porosia që dha në fund major Azemit, për tifozerinë e klubeve gjikanase.

Përndryshe të dielën, në kuadër të Javës së 12-të, të Raiffeisen Superligës në futboll, do të kemi derbin:

Gjilani – Drita
Ora 13.00
Stadiumi i Qytetit, Gjilan
Referë: G.Nuza, F.Berisha, B.Selimaj, I.Kelmendi