/2L ONLINE/ – Thonë që ” çudirat zgjasin 3 ditë ” por tek ne shqiptarët po zgjasin me shekuj! Vërtetë më duket e pakuptimtë kur disa zënë në gojët e tyre siç i kam lexuar si: ” baba Erdogani ” ose kur e shoh ” se e duan një shtet tjetër para Atdheut, ku kanë lindur dhe ku janë rritur ” sinqerisht ndjejë keqardhje për ta sepse kanë nevojë të bëjnë analiza neurologjike dhe të ADN-se për ta vërtetuar këtë absurditet?!
Shqiptarët duhet të solidarizohen me të gjithë popujt e shtypur, ku mbyten të pafajshmit dhe të denojnë krimin pa marrë parasysh përkatësine kombetare, fetare, racore, pa marrë parasysh kjo shtypje, mbytje ose krim a ndodhet në mesin tonë apo diku tjetër në botë.
#Shqiptarë, ka ardhur koha kur duhet të tregojmë më shumë dashuri, respekt dhe punë për vetveten, për popullin dhe për shtetin tonë sesa për shtetet tjera sepse ato shtete që i futën në përdorim këto më lartë, sot kanë ecur përpara dhe ne kemi ngelur prapa.
#Shqiptarë, është jetike t’i kuptojmë gjërat me logjikë të shëndoshë dhe mos të na verbërojë urrejtja ose dashuria e madhe për disa shtete mike. Populli shqiptarë e ka vëlla shqiptarin nga Kosova, Shqipëria, Presheva, Mali i Zi, Çamëria etj. dhe se kjo duhet të ruhet me shumë xhelozi sepse ai që nuk e donë veten, popullin dhe shtetin e tij nuk është shqiptarë i edukuar dhe arsimuar sa duhet për ta kuptuar vlerën e Atdheut të tij.
#Shqiptarë, punët dhe detyrat tona të shtëpisë nuk do të na kryej askush, mos të shohim ëndrra për një gjë të tillë prandaj duhet t’i kryejmë vetë. Zemra duhet të rrahë për vendlindjen ndërsa mendja duhet të punojë për të.
#Shqiptarë, mjaftë me të qënurit argat i të tjerëve, gjatë historisë shqiptarët kanë marrë pjesë në luftërat e Spanjës, Kroacisë, Bosnjës, Sirisë, Ukrainës etj.
A nuk ka ardhur koha t’i hapim sytë, t’i kthehemi vetvetës, të punojmë dhe ta shohim realitetin sepse punët dhe shtetet tona shqiptare i kemi në atë shkallë ” ku nuk e di a ka më keq? “.
#Shqiptarë, ta përdorim trurin me zgjuarsi dhe të arrijmë në mënyrë diplomatike të mbajmë raporte të mira me shtetet e fuqishme si Amerika, Britania, Gjermania, Turqia, Franca etj. kundër armiqve tanë aktual sepse nëse përqahemi, dobësohemi dhe nuk kemi miq në ditë të mira dhe të vështira vaj halli për ne si popull.
#Shqiptarë, për fund, nëse duam të përparojmë dhe të forcohemi si popull dhe si shtet duhet t’i bashkojmë dy gjëra: ” diturinë dhe punën ” dhe ta duam Atdhenë si Shqiponja folenë. /2L ONLINE/