ZKM: Oferta e djalit të Mustafës ishte më e lira
Zyra e Prokurimit Publik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, përmes një komunikate për media jep disa sqarime sa i përket servisimit të një veture (BMË X5, i blinduar) të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në servisin e djalit të kryeministrit Isa Mustafa, i cili u bë lajmë nga të gjitha mediat.
Zyra e Kryeministrit dëshiron që të siguroj opinionin dhe të gjithë taksapaguesit në Republikën e Kosovës se “kjo procedurë është kryer në përputhje të plotë në dispozitat dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik, duke i kushtuar kujdes maksimal shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe se në përzgjedhjen e fituesit nuk kishte asnjë motiv tjetër”.
Në komunikatë thuhet se mbështetur në këto kritere, në konkurrencë edhe me dy operatorë të tjerë ekonomik konkurrues, në kushte të barabarta, ka rezultuar se operatori i përgjegjshëm, me çmimin më të lirë për shërbimin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të jetë kompania Makcar.
“Për dijeni të opinionit, dy operatorët e tjerë ekonomik konkurrues kishin ofertuar me çmimet 3,480 Euro, përkatësisht 3,207 Euro, ndërsa operatori Makcar kishte ofertuar me çmimin 2,946 Euro dhe si rezultat ishte shpallur fitues”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Në komunikatë thuhet po ashtu se zyra e Kryeministrit jep garanci për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përzgjedhja e operatorit fitues në rastin konkret është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe nuk ka të bëjë asgjë me faktin se Besnik Mustafa, si pronar-menaxher i këtij operatori është djali i kryeministrit Isa Mustafa.
