DYLON

Zjarri vazhdon të bëjë dëme në Rajonin e Gjilanit, policia ripërsërit apelin!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Me ngritjen e temperaturave dhe qysh prej fillimin e fushatës së Korrje Shirjeve e këndejmë, kemi pas raste të shpeshta të përhapjes së zjarreve. Vetëm ditëve të fundit kemi pasur disa raste të reja të paraqitura në rajonin e Gjilanit. Situata më e keqe është në Komunën e Kamenicës, por nuk mungojnë zjarre as në atë të Ranillugut, Vitisë e Gjilanit.

Zjarri po hap fronte pra edhe në këtë Rajon dhe si duket po i fiton disa beteja duke gëlltitur ara me grurë, por edhe male. Zjarrit po i del hak njësiti i zjarrfikësve, por se me qëllim të parandalimit apo luftimit të zjarrit në momentin fillestar, për t’i ikur kështu dëmeve, duhet patjetër një vetëdije e qytetarëve që të mos bëjnë asnjë veprim me të cilat do të bëheshin, me dashje apo pa të, aleat me zjarrin dhe t’ia ndihmonin atij të gëlltisë sipërfaqe të ndryshme duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

EkoHigjiena

Policia ka apeluar kohë më parë për nevojën e kujdesit të shtuar por edhe ka bërë me dije se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që mund të jenë shkaktarë të zjarrit. Ndërkohë që zjarret e reja e kanë detyruar atë të ripërsëritë apelin drejtuar qytetarëve për të mos hapur zjarre.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se Polica e Kosovës i ka shtuar masat, por se me fillimin e muajit korrik e këndejmë kur edhe kemi praninë më të madhe të bujqve nëpër ara, fatkeqësisht kemi edhe ngritje të rasteve të zjarreve. “Vetëm ditëve të fundit në rajonin e Gjilanit kemi të raportuar për së paku pesë rast të zjarreve ku janë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme, përfshire edhe sipërfaqe te mbjella me grurë, andaj policia e Kosovës apelon për kujdes”, ka thënë Hashani.

“Apelohen veçanërisht bujqit, barinjtë dhe gjithë të tjerët që në as një mënyrë mos të hapin zjarre, qoftë edhe me qëllim të pastrimit të pronave të tyre, sepse zjarret po dalin jashtë kontrolleve dhe po shkaktojnë dëme të mëdha”, ka thënë toger Ismet Hashani.

Sipas tij, Polica e Kosovës, do të zbatoj masa ligjore në të gjitha rastet kur dihen apo zbulohen të gjithë ata që përhapin apo shkaktojnë zjarr në ambiente të hapura. /2L ONLINE/

/fotoilustrim/