“Zjarri i Lirisë” do të ndizet sonte edhe në Gjilan
Sonte, në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, nga ora 19:00, do të ndizet “Zjarri i Lirisë”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për ta përcjellë kështu mesazhin se çlirimtarët nuk janë vetëm dhe se mbështetja për ta është mbështetje për historinë, sakrificën dhe luftën çlirimtare të Kosovës.
“Kodra e Dëshmorëve”, do të jetë vendtakim i Veteranëve të Zonës Operative të Karadakut që bashkë me qytetarë do ta ndezin “Zjarrin e Lirisë”, në nderim të dëshmorëve dhe në përkujtim të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët që ndodhen në Hagë, me bindjen se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për liri.
Nga ana e tij, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi ka thënë se është momenti të jemi bashkë në mbrojtje të vlerës sonë historike, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kaluarës, të tashmes e të ardhmes së vendit tonë, transmeton Portali 2LONLINE.
“Në këtë kohë, mbështetja për përfaqësuesit e UÇK-së, është mbështetje për të drejtën e të vërtetën e luftës për liri, për sakrificën e popullit tonë dhe për proceset e rëndësishme të pavarësisë e shtetndërtimit. Prandaj, të jemi të gjithë bashkë pa dallim, në ndezjen e Flakës së Lirisë, për kthimin e çlirimtarëve në atdhe”, ka thënë Ahmet Isufi. /2LONLINE/
