(2L ONLINE) – Nazim Bekteshi nga fshati Zhegër bashkatdhetar yni në diasporë, sot për Shërbimin Zjarrfikës në Gjilan, ka sjellë një pompë për thithjen e ujit, e cila ka kapacitet 800 litra në minutë e që këtij shërbimi dhe Komunës së Gjilanit do t’i nevojitet shumë gjatë intervenimeve. Me këtë rast drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Halit Rexhepi, ka falënderuar bashkatdhetarin tonë për këtë donacion dhe shumë të tjera të sjella në këtë shërbim edhe më parë.
“E falënderojmë z. Bekteshi për këtë donacion që e ka sjellë në Gjilan nga Zvicra, vendi ku ai jeton dhe punon. Kjo është një pompë e madhe për thithjen e ujit, me kapacitet 800 litra në minutë, për zbrazje të ujit. Kjo nuk është hera e parë e donacioneve nga ky bashkatdhetarë yni. Ky është donatori më i madh sa i përket pajisjeve të shërbimit të zjarrfikësve nga bashkatdhetarët që janë në Zvicër. I njëjti edhe më parë ka sjellë një pompë të kësaj natyre, pastaj pajisje të tjera shumë të rëndësishme për intervenim, shkallë ngjitëse, kamion – cisternë, e të gjitha këto shfrytëzohen tani nga zjarrfikësit për intervenime. Nevojat elementare pothuajse janë mbuluar sa i përket pajisjes me makineri për këtë shërbim”, tha drejtori Rexhepi.
Ndërsa Shaip Ismaili, Komandant i Shërbimit Zjarrfikës dhe i Shpëtimit në Gjilan ka thënë se donacionet nga ky bashkatdhetar janë të shumta dhe tepër të rëndësishme për zjarrfikësit në Gjilan dhe më gjerë, ngase intervenimet tona bëhen edhe jashtë Gjilanit.
“Ky bashkatdhetar është njeriu i cili shërbimit tonë i ka sjellë pajisje të shumta e që po i lehtësojnë përditë e më shumë punën në intervenimet emergjente si në fikjen e zjarrit ashtu edhe në intervenimet gjatë reshjeve të shiut. Jemi shumë mirënjohës për këto donacione që ka sjellë z.Bekteshi për Gjilanin. Pos pompës ai ka pajis këtë shërbim edhe një gjenerator për krijimin e shkumës ajrore të lehtë të cilën nuk e kemi pasur deri më tani e që kryen punë shumë të madhe poashtu”, ka thënë Ismaili. /2L ONLINE/