/2L ONLINE/ – Për të testuar sistemin e alarmit në objektin e ri në rast të ndonjë rreziku të ndezjes, Zyra Rajonale e OSBE-së ka improvizuar sot një situatë të tillë dhe Njësia profesionale e zjarrfikjes dhe shpëtimit ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke evakuuar personat që ndodheshin në këtë objekt, përfshirë edhe drejtorin Ulrich Biffar.
Drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar, tha se ky aksion është ndërmarrë për të parë se a janë kushtet, përgatitjet dhe pajisjet njejta në ndërtesën e re në raste emergjente.
“Pas transferimit nga ndërtesa e vjetër, qëllimi im ka qenë të shohim se a i kemi kushtet e njejta, përgatitjet e njejta dhe pajisjet njejta në ndërtesën e re. Quhet ushtrimi i tri dritave të kaltëra: policia, zjarrëfikësit dhe ndihma e shpejt. Siç e pamë, gjërat teknike shkuan shumë mirë. Nuk ka dyshim që ky nuk është një skenar i vërtetë sepse në situata të vërteta kemi njerëz që janë në panik, që lëndohen, qajnë etj, por qëllimi ka qenë se a jemi të përgatitur teknikisht për këtë”, u shpreh Biffar.
Ndërkaq, komandanti i Njësisë profesionale të zjarrëfikjes dhe shpëtimit në Gjilan, Shaip Ismaili, është shprehur se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve në çdo kohë, kurdo që kërkohet ndihmë në fikjen e zjarreve.
“Njësia profesionale e zjarrëfikjes dhe shpëtimit në Gjilan ka një bashkëpunim me OSBE-në në Gjilan në mënyrë të vazhdueshme. Paraprakisht jemi njoftuar me të gjitha rrethanat sepse sistemi i alarmit është i vendosur në OSBE dhe përmes linjës telefonike e njofton direkt njësinë tonë dhe ne veprojmë menjëherë. Në këtë rast, kemi vepruar ashtu sipas skenarit që e ka përgatitë OSBE dhe konsiderojmë se gjithçka ka shkuar në rregull”, tha Ismaili.
Këtë situatë të improvizuar e ka përcjellë nga afër edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu dhe zyrtarët komunalë./2L ONLINE/