(2LONLINE) – Stafi i udhëheqës i zjarrfikësve së bashku me të gjithë punëtorët që kanë në dispozicion, kanë marrë sot një iniciativë për renovimin e objektit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit.
Komandanti i Shërbimit të Zjarrfikësve, Shaip Ismajli, është shprehur se këtë iniciativë e kanë marrë për të pasur kushte më të mira të punës dhe se presin ndihmë edhe nga kompanitë private në Gjilan.
“Duke marrë parasysh kushtet në këtë objekt që janë bukur të vështira, stafit udhëheqës së bashku me zjarrfikësit kemi marrë iniciativë ta rinovojmë këtë objekt. Po e bëjmë rregullimin e dyshemesë, e mureve anësore, të kuzhinës etj. Kemi kërkuar material nëpër firma të ndryshme dhe me ndihmën e firmave si “Pro Eng” etj, po bëhen i mundshëm ky rinovim. I tërë objekti ka nevojë për renovim. Por, duke i pasur parasyshë kushtet financiare që i ka Komuna, aq sa ka mundësi, aq do të bëjmë”, ka thënë z. Ismajli.
Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka parë nga afër këto punime dhe ka falënderuar stafin e zjarrfikësve që po bëjnë punë vullnetare dhe pa implikime buxhetore.
“Këtu po shoh një punë shumë të mirë që po bëhet nga ana juaj. Ju përgëzoj për këtë aksion, meqë është punë vullnetare dhe nuk ka implikime buxhetore. I falënderoj edhe kompanitë e Gjilanit që po ju ndihmojnë në përmirësimin e kushteve në këtë objekt për ta pasur më të lehtë funksionimin tuaj si shërbim emergjent. Me iniciativat tuaja vullnetare, ju jeni shembull si institucion”, tha Kadriu.
Javë më parë, po me iniciativë të stafit të zjarrfikësve, janë rregulluar shkallët para hyrjes së këtij objekti. /2lonline/