(2LONLINE) – Ndonëse është thënë se janë mirëpritur nga pjesa tjetër e kryesisë, dorëheqjet e, tani më, ish kryetarit të Degës Izmi Zeka, dhe të ish nënkryetarit të Degës Qemajl Mustafa, të cilët janë apostrofuar si pengesë për zhbllokimin dhe funskionimin normal të Degës, megjithatë nuk pritet të kalojë kjo pa zhvillime të reja në veçanti në drejtim të lëvizjeve të atyre, që në njëfarë mënyrë, mund të jenë mbështetës të Mustafës apo Zekës, e që zhvillimet e fundit në Degë, nuk u kanë pëlqyer, gjëra këto që i kanë paralajmëruar burimet e 2lonline brenda këtij subjekti, përgjatë ditës së sotme. Shih shkrimin Dorëheqja e Izmi Zekës, stabilizim apo trazim i mëtutjeshëm i PDK-së ?!
Trendi i dorëheqjeve ka vazhduar dhe se Portali 2Lonline mëson se dorëheqje sot ka dhënë Fatmir Daku, kryetar i nëndegës së 19-të të PDK-së. Ai e ka dorëzuar me shkrim dorëheqjen e tij në Kryesinë e Degës, në të cilën sqarohet edhe veprim i ndërmarrë nga ai.
“Duk e parë situatën e krijuar në Partinë Demokratike të Kosovës, Dega në Gjilan dhe duke mos përjashtuar veten nga sukseset dhe dështimet, unë Fatmir Daku, kryetar i nëndegës 19-të, jap dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo pozitë”, thuhet në letër-dorëheqjen e Dakut, të cilën e ka siguruar 2Lonline.
Më tej Daku sqaron në dorëheqjen në fjalë, se po e merr këtë vendim i bindur se kjo do t’i kontribuoj para se gjithash edhe partisë, por edhe anëtarësisë në përgjithësi.
Daku ka vlerësuar lartë punën e deritanishme të anëtarëve të kryesisë së nëndegës në fjalë ku deri më sot ishte kryetar, të cilët i ka falënderuar për përkushtim.
Përndryshe, burimet e 2Lonline mësojnë se hapa të tillë si ky i Fatmir Dakut, pritet të ketë edhe nëpër disa nëndegë të tjera, ditëve në vijim, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që adresë e shumë prej tyre, pas këtij hapi, mund të “Nisma për Kosovën”, e Fatmir Limaj, e cila këto ditë pritet të nxjerrë në publik organizimin e saj struktural edhe në Gjilan. /2lonline/