/2L ONLINE/ Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar të hënën raportin e punës së Drejtorisë së linjës, për periudhën janar-mars 2015, të cilin e ka prezantuar drejtori Muhamet Kastrati, përfshirë edhe raportin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), që e ka paraqitur drejtori Fejzullah Berisha, ndërkohë që është informuar edhe për ecurinë e vaksinimit të fëmijëve, nga shefi i Shërbimit, Ismet Uruqi.
Jashar Jashari, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se KSHMS ka kërkuar linjë të veçantë buxhetore për projektin e kontrollit sistemaik të nxënësve, pastaj sigurimin e një mbështetje financiare për strehimoren “Liria” si dhe shqyrtimin e mundësive për marrjen e regjistrit të fëmijëve të lindur brenda një viti, nga Administrata e përgjithshme, për nevoja të vaksinimit.
Njëherësh, Jashari e ka përgëzuar Shërbimin e vaksinimit për punën e mirë që është duke e bërë, me një përfshirje prej 95 për qind të fëmijëve në programin e imunizimit nga sëmundjet ngjitëse, ndërkaq sa u përket nxënësve të cilët diagnostifikohen me sëmundje të ndryshme, ka rekomanduar që të udhëzohen tutje rastet që nuk mund të trajtohen në QKMF.
Muhamet Kastrati, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se është urdhëruar kontrollimi i ujit nëpër shkolla dhe atje ku gjendja nuk rezulton e kënaqshme, do të ndalohet përdorimi i tij për pije.
Po ashtu DSHMS ka pasur një kërkesë për dezinfektimin e dy objekteve të banimit social dhe, siç tha Kastrati, kësaj kërkese do t`i përgjigjemi pozitivisht, ndërkohë që po bëhet planifikimi edhe për fillimin në qershor të dezinfektimit hapësinor.
Sa i përket punës së QKMF-së, drejtori i saj Fejzullah Berisha, ka thënë se në proces është riorganizimi i brendshëm, ndërkohë që është përgatitur konkursi për pranimin e 6 punëtorëve të rinj shëndetësorë. “Qëllimi ynë është ngritja e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë Berisha. Ai ka folur edhe për gjendjen e furnizimit me barna esenciale, projektin për kontrollimin sistematik të nxënësve, që është në vazhdim e sipër si dhe atë të mamografisë mobile, që sapo ka përfunduar.
Duke u përgjigjur në interesimet konkrete të anëtarëve të KSHMS, Jashar Jashari, Agron Leka, Mirvete Kuretshi, Fatbardha Selmani, Veton Uka, Nexhat Halili e Sami Ahmeti, drejtori i QKMF, Fejzullah Berisha, ka thënë se sa i përket kontrollit sistematik të nxënësve, një kopje e raportit mjekësor i dërgohet prindit, ndërsa një tjetër mbetet në QKMF. Nexhat Halili, anëtar i ekipit mjekësor për kontrollimin e nxënësve, ka thënë se kanë hasur raste me pedikulozë (morra), por jo me zhugë.
Ndërkaq, Ismet Uruqi, duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit, ka thënë se sëmundjet ngjitëse luftohen me masa parandaluese. Me gjithë përfshirjen e fëmijëve në masën 95 për qind në vaksinim, sipas Uruqit problem mbetet sigurimi i regjistrit të fëmijëve të lindur brenda një viti, shpërndarja e ftesave, meqë nuk ekziston një punëtor i caktuar për këtë qëllim si dhe përfshirja në vaksinim e komunitetit rom. /2L ONLINE/