Në Zhegër sot u mbajt tubim përkujtimor për të kujtuar e nderuar martirët e kombit të këtushëm, që u vranë nga duart gjakatare të kriminelëve serbosllavë, 17 vjet më parë. Fillimisht martirët shqiptarë të Zhegrës u nderuan me himnin e flamurit kombëtar, e pastaj me një minutë heshtje nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje të dhimbshme.
Në hapje të tubimit përkujtimor, Shemsedin Elezi, kryetar i Këshillit të fshatit Zhegër, ndër tjerash tha:”Vrasjet e fundmarsit dhe fillimit të prillit 1999, nuk ndodhën rastësisht. Okupatori serb e dinte mirë rolin e Zhegrës dhe Karadakut në përgjithësi gjatë historisë. Një shekull më parë, ishte heroi ynë, Idriz Seferi ideator i kryengritjes së armatosur në luftën për çlirim kombëtar. Kur ata kuptuan se kreatori dhe komandanti i betejës kryesore gjatë luftës së fundit për liri, Betejës së Kosharës, ishte pikërisht nga Zhegra, Komandant Agimi Ramadani – “KATANA”, ata nuk pritën me tepër duke ndërmarrë ofensivën famëkeqe e cila rezultoi kobshëm për ne.
Epilogu ishte i tmerrshëm, ashtu që me një përzgjedhje tinëzare forcat paramilitare vranë pamëshirshëm të gjithë ata që konsideroi si pengesë në rrugën e tyre të përgjakur, duke filluar nga Zhegra, Llashtica, Lladova, Nasala, Selishta, Pidiqi, Shurdhani dhe Dunavi. Pra e gjithë Gryka e Karadakut u dëmtua pamëshirshëm,
Por, nuk ia arritjen, sepse, Zhegra gjithnjë prodhoi lider të cilët mbronin me çdo kusht popullin e vetë. Kemi në vazhdim rëniën heroike në betejën e Rahovicës së Preshevës, të dëshmorëve tanë, Shaban e Sami Ukshini. Ne përveç dhimbjes ndjejmë një krenari për të afërmit tanë, sepse ata për ne simbolizojnë sakrificën dhe flijimin për një jetë dhe një të ardhme më të mirë. Ata na inkurajojnë të japim nga vetja maksimumin, i cili në rrethana të reja të një shteti të lirë e demokratik, nuk kërkon flijim, por angazhim, punë dhe vullnet”.
Rrahman Agushi, drejtor i SHFM “Agim Ramdanai” në Zhegër tha se edhe nga ky tubim sërish përsëritet kërkesa që kriminelët dhe ata që dhanë urdhra të dalin para drejtësisë. Sipas tij, martirët, dhuruan pranverat tona për lirinë e Kosovës, andaj amaneti i tyre duhet të çohet në vend.
“Rënia e tyre është dëshmia më e mirë, se sa shtrenjtë këta qytetarë dhe ky popull e ka paguar lirinë e sotme, pa gjakun e të cilëve nuk do kishim mundur të jetojmë të lirë dhe të gëzojmë të mirat e lirisë që gëzojmë. Të gjithë ne respektojmë dëshmorët e martirët dhe çdo familje të tyre, të cilat dhanë bijtë e tyre më të mirë për çlirimin e vendit. Ne e bashkëndjejmë dhimbjen e familjarëve që 17 vite më parë humbën më të dashurit e tyre”, tha drejtori Rrahmani.
Ai tha se në fshatin Zhegër ushtria serbe e cila ndihmohej edhe nga serbët vendës kishte vrarë 13 shqiptarë dhe plagosur shtatë veta. Andaj, sipas të dhënave që kanë grumbulluar këshilli i bashkësisë vendore në Zhegër në periudhën mars-qershor 1999 në këtë fshat janë vrarë 13 veta, dhe janë plagosur 7 persona. Pos kësaj në fshatin Zhegër gjatë luftës forcat serbe kanë bërë shumë dëme material, dhe, sipas shënimeve ushtria serbe dhe grupet paramilitare kanë djegur 410 shtëpi. Janë plaqkitur: 104 traktorë, 3 kamionë, 200 vetura, 96 kultivator, 322 lopë, 140 tonë miell, 5 furgona,. vlera e të cilit dëm arrin në 19 milion e 320 mijë euro. Kurse, sipas dëshmive të gjitha operacionet që ka kryer ushtria serbe në Zhegër janë kryer në bashkëveprim me serbët vendor.
“Ishin banorët serb të Zhegrës që kishin kërkuar ndihmë nga Nishi dhe Serbia, ashtu që sipas të dhënave që janë evidentuar në kallëzimin penal vetëm nga burgu i Nishit në Zhegër ishin sjellur 8 autobus me 500 paramilitarë, me targa të Nishit, Smederevës, Prokupljes, Kraljevës, Novi Sadit etj. Të gjithë këta paramilitarë ishin sjellë më 29 mars 1999 dhe në mesin e tyre kishte edhe të droguar dhe të atillë që ishin të dënuar me vepra të ndryshme kriminale. E veçanta e aksionit në Zhegër ishte se serbët vendor i kishin pritur me lista në dorë paramilitarët. Vrasjet e shqiptarëve në Zhegër i ka konstatuar në një procesverbal ish gjykatësi hetues serb Zhivojin Jankoviq në prezencën e inspektorit të SPB-së Jovica Petroviç. Sipas konstatimit të këtyre mjekëve viktimat janë vrarë me armë zjarri, Vizuelisht kufomat i ka shikuar mjeku dr. Vasiq Hranisllav thuhet në procesverbalin e datës 31 mars 1999. Në këtë procesverbal nuk jepen emrat e dëshmitarëve dhe nuk është bërë identifikimi i kufomave, Në kallëzimin penal janë të evidentuar disa emra të serbëve të Zhegrës që janë të përfshirë në vrasjet e bashkëvendësve të tyre. Në kallëzimin penal figurojnë edhe 64 emra të serbëve të Zhegrës të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në plaçkitjen, djegien, rrahjen, torturimet e banorëve të Zhegrës”, tha ai.
Sipas tij, gjithashtu gjatë kohës së luftës shtatë zhegras janë dërguar me dhunë në burgun e Vranjës ku janë rrahur dhe torturuar, dhe sipas të dhënave që kanë grumbulluar Këshilli i bashkësisë vendore në Zhegër në periudhën mars-qershor 1999 janë vrarë këta shqiptarë: Shyqeri Shukri Tahiri ( 11.05 .1956) më 29.03.1999. Kjo familje ishte halë në sy të regjimit serb, e sidomos të policisë serbe me akuzën e ushtrimit të aktiviteteve armiqësore nga vëllai, Tahir Tahiri, kundër Serbisë dhe për pjesëmarrjen e tij në aktivitete e përditshme politike e sociale, në shërbim të ksaj shtëpie që e kanë llogaritur si shtab të kësaj treve, duke iu dalë në ndihmë popullatës shqiptare. Haxhi Ukshin Ukshini(1928) dhe bashkëshortja e tij, Miradije Ukshini(1930) të vrarë më 30 mars 1999. Kjo familje ishte aktive në aspektin e veprës, dhe vizionare e veçuar e rezistencës për çështjen kombëtare. Pavarësisht sfidave të mëdha nga regjimet serbo-sllave, nuk pushoi asnjëherë në marshimin e tyre këmbëngulës si familje.
Përveç ndjenjave pikëlluese për humbjen e këtyre prindërve, sepse në radhët e kësaj familje kishte njerëz me dinjitet, atdhedashës, njerëz të cilët vetveten e kishin vënë në dispozicion të kombit shqiptar e atdheut, përkrah shumë aktiviteteve , ishte edhe djali i tyre, arsimtari, Musli Ukshini. Pastaj janë vrarë, Milazim Habib Idrizi (14.11.1934), vëllai Qazim Habib Idrizi (08.05.1936) me bashkëshortën e tij, Qamile Jetulla Haziri (03.06.1944) më 30 mars 1999.
“ Vlenë të theksohet, se në mesin e martirëve të vrarë, Milazim Idrizi ishte arsimtari e pedagogu ynë për shumë vite. Nga aktivitetet që janë kryer në familjen e pikrishtë në shtëpinë e tijë, tashmë martirit, Milazim Idrizi, serbët vendor e kanë konsideruar si shtëpi politike, aty ku ishte vendosur dhe vëzhgonte OSBE-ja. Serbët vendor duke qenë të bindur se po i bëjnë shërbim institucioneve të Republikës së Kosovës të asaj kohe të cilat i kalonte Kosova, shërbimet policore paramilitare të ndihmuara nga serbet vendor me lidhje tepër të dyshimta me struktura kriminale, të cilët përdorën gjenocid ndaj popullatës së kësaj ane, Por vdekja nuk qe fjala e tij e fundit, Ai, përpos veprave, la emër edhe përmes trashëgimtarëve, të cilët krenohet me të atin , ashtu siç krenohen edhe familjaret e tjerë dhe të gjithë ne që e njohëm. Ata e vranë arsimtarin Milazim bashkë me vëllain Qazimin, me gruan e tij Qamilen, e vetmja vajzë nga prindi i sajë, Jetulla Islamit, i vrarë më 23.12.1948 nga UDB -ja famëkeqe. Mandej, Fitim Shukri Isufi ( 1977), person me të meta mentale në moshën 20 vjeçare, Raif Xheladin Rrustemi (1920), 79 vjeçar, Mustafë Asllan Mustafa, 80 vjeçar dhe me aftësi të kufizuara, Sabedin Sejdi Hamiti (1975), 24 vjeçar, i vrarë në kufirin Kosovës-Serbi më 8 maj 1999 bashkë më Ukshin Sabit Malokun (1972), 24 vjeçar dhe Hasan Ilmi Malokun (1967). Më 6 qërshor të vitit 1999 u vra edhe Avni Sabri Zenuni (1975), 24 vjeçar”, tha ai.
Sipas tij, në përkujtimin e përvjetorit e 17 të eksodit më 31 mars i vitit 1999, fshati Zhegër ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, duke u sakrifikuar martirë e dëshmorë, të cilët janë dhembja dhe krenaria jo vetëm e Gjilanit, por edhe e Kosovës, dhe më gjerë. Dita kur është bërë deportimi i banorëve shqiptar të këtij fshati drejt kufirit për në Republikën e Maqedonisë, por edhe vrasjet, djegiet dhe rrënimet e gjithçkaje, nga regjimi serb përmes mekanizmave të ndryshëm ushtarakë, policorë e paramilitarë, qytetarë të cilët pa fajin e tyre janë ndodhur në vorbullën duke ikur , boshatisën fshatin e tyre, sikur shumica e Kosovës të rreshtuar nëpër kolona të pafund. Disa duke u strehuar në fshatrat: Remnik, Stubëll, Therrali, për të cilët strehim iu jemi mirënjohës. Një pjesë e tyre kanë kaluar nëpër fshatin Kurexhaj në drejtim të kufirit me Maqedoni, disa prej tyre kanë mbetur në Gjilan, e disa nga ta iu dhanë udhëve të botës.
“Është e vështirë për ju familjarët në këtë kohë, kur kujtojmë përvjetorët e vrasjes së familjarëve, por ju duhet të jenë krenarë me të dashurit e juaj, sepse falë gjakut të tyre sot po e gëzojmë lirinë. Unë e di që ju si familjarë e keni shumë të vështirë që të kujtoni vrasjen e më të dashurve tuaj. Institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë që amanetin e tyre ta dërgojnë në vend. Ne kërkojmë edhe nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare e vendore, që të gjitha ata që kanë bërë krime të dënohen për veprat e tyre, sa më shpejt që është e mundur, për të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë, është ndërtimi i një shteti të fuqishëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të plotësohet dëshira e martirëve dhe e dëshmorëve. Ne duhet të punojmë që t’a ndërtojmë një shtet sa më funksional dhe të fuqishëm, në mënyrë që sakrifica e tyre të shpërblehet dhe amaneti i tyre të realizohet. Sot është një ditë e dhimbshme, por të gjithë duhet të bëhemi të fortë dhe të ndihemi krenarë që i patëm këta martirë në mesin tone, të cilët dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e shqiptarëve i kujtojmë me përulje, të cilën ranë në altarin e lirisë, për të ndriçuar rrugën e lirisë, të zhvillimit dhe ndërtimit të vendit me vendosmërinë e tyre për vetëflijim në shërbim të lirisë dhe bashkimit kombëtar”, tha drejtori Agushi.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pjesëmarrësit ë ktij tubimi përkujtimor janë përshëndetur nga Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal. “ Jam këtu me ju për të ndarë dhimbjen për martirët dhe dëshmorët e këtushëm, por edhe krenarinë për ta. Për realizimin e amanetit të tyre duhet të flasim duke punuar drejtë dhe mirë, për t’a zhvilluar Zhegrën përmes punëve të mira.
Kurse, Skender Rrustemi, foli në emër të familjarëve të martirëve të Zhegrës. Ai fillimisht falënderoi të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në këtë ngjarje, e pastaj ndër tjerash tha:
”Ne familjarët e martirëve përveç dhimbjeve kemi edhe krenarinë, sepse, ata u martirizuan pa u përkulur para armikut. Nga ana tjetër, jemi kureshtar për të parë e ditur, se sa po realizohet ideali i tyre për një shtet funksional, duke shpresuar në ardhjen e ditëve më të mira”, tha Rrustemi.
Tubimi përkujtimor për martirët e Zhegrës gjatë luftës së fundit në Kosovë, është përmbyllur me disa poezi që u lexuan nga nxënësit e SHFM “Agim Ramadani”, kushtuar martirëve, dhe një pike muzikore ekzekutuar me flaut./Gjilani.INFO/